Komisioni Evropian ka miratuar paketën prej 100 milionë eurosh për rindërtimin pas tërmetit, të premtuar në konferencën e donatorëve. Lajmin e ka bërë të ditur vetë Komisioneri i Zgjerimit Oliver Varhelyi nëpërmjet një postimi në “Twitter”.
“Me miratimin e paketës financiare 100 milion €, Bashkimi Evropian vazhdon angazhimin e tij për të ndihmuar Shqipërinë në përpjekjet e rindërtimit pas tërmetit të nëntorit, ashtu siç po ofrojmë mbështetje për të adresuar krizën COVID-19. Ne qëndrojmë pranë qytetarëve të Shqipërisë dhe mbështesim të ardhmen e saj në BE“, shkruan Varhelyi.
Programi i sapo miratuar do të përqendrohet në rehabilitimin dhe rindërtimin e objekteve arsimore dhe do të bazohet në punimet e nisura tashmë nën programin ekzistues të rindërtimit 15 milionë euro të financuara nga Komisioni Evropian.
Programi i ri do të financojë më tej rehabilitimin e vendeve të dëmtuara të trashëgimisë kulturore, përfshirë monumentet, dhe vendet arkeologjike.