Një dokumentar i transmetuar në rrjetin Amazon pretendon se një agjent i CIA-s ishte i përfshirë në torturimin dhe vdekjen e agjentit të DEA-s Enrique “Kiki” Camarena në vitin 1985.
Camarena, asokohe 37-vjeç, punonte në Meksikë për llogari të DEA-s në Guadalahara, Meksikë, kur u rrëmbye dhe u gjet më pas i vrarë. Sipas hetimeve, rezultoi se ekzekutuesit ishin pjesëtarë të Kartelit të Guadalahartës, një prej organizatave kriminale më të rrezikshme dhe të fuqishme të atyre viteve. Historia e tij frymëzoi edhe serialin “Narcos Mexico” të Netflix.
Zhdukja dhe vrasja e tij shkaktoi reagime në SHBA, edhe nga administrata e Presidentit Ronald Reagan, dhe si pasojë e presionit nga autoritetet amerikane të gjithë krerët e kartelit u arrestuan dhe organizata u shpërbë. Por dokumentari i transmetuar në Amazon, “Narkosi i fundit”, mbështet historinë që në atë krim, ishte i përfshirë të paktën një zyrtar amerikan.
Në dokumentar dëshmon edhe Hector Berrellez, shtetas amerikan, i cili ka qenë në krye të hetimeve për vrasjen e agjentit të DEA-s, Camarena. Ai pretendon se në marrjen në pyetje ka qenë i pranishëm edhe Felix Rodriguez, agjent i famshëm i CIA-s në ato vite, pasi donte të sigurohej që meksikani nuk kishte zbuluar lidhjet e agjencisë me kartelet e drogës.
Nuk është hera e parë që Berrellez pretendon se CIA është e përfshirë në këtë ngjarje. Në vitin 2015, ai deklaroi për “LA Weekly” se një person i marrë në pyetje për ngjarjen i kishte thënë ta linte me kaq. “E gjithë çështja mban erë të keqe dhe kështu do të përfundosh edhe ti nëse nuk largohesh. Qeveria jote e vrau”, citonte asokohe Berrellez personin e marrë ne pyetje.
Në atë kohë CIA deklaroi se këto pretendime ishin qesharake, por ende nuk ka ardhur një reagim pas dokumentarit të fundit.
Në shkurt, “USA Today” publikoi një raport ku pretendohej se Departamenti i Shtetit dhe prokurorë amerikanë kishin marrë dëshmi nga persona të ndryshëm që implikonin operativë të CIA-s dhe një agjent të DEA-s në planin për vrasjen e Camarena-s. Edhe e veja e tij deklaroi se nuk do të habitej aspak nëse shteti amerikan do të kishte qenë i përfshirë në këtë histori.
Zyrtarisht për vrasjen e agjentit Camarena është dënuar Miguel Ángel Félix Gallardo, bosi i kartelit të Guadalaharës, i njohur edhe si Kumbari, por edhe dy ortakë të tij, Ernesto “Don Neto” Fonseca dhe Rafael Caro Quintero. Ky i fundit u lirua në vitin 2013 për shkak të një kleçke ligjore dhe tani është njeriu më i kërkuar nga FBI, me një shpërblim prej 20 milionë dollarësh për këdo që jep informacione për kapjen e tij.