Epidemiologët në Greqi paralajmërojnë se vendi është në prag të një shpërthimi të ri të rasteve me COVID-19, ndërsa infektimet janë shtuar ndjeshëm ditët e fundit.
Të shtunën pati 110 raste të konfirmuara, shifra më e lartë kjo që prej muajit prill, ndërsa në 24 orët e fundit u shënuan 75 të prekur. Autoritetet në vendin që deri më tani ka shkëlqyer në menaxhimin e pandemisë, po nxitojnë të frenojnë një valë të dytë të mundshme, duke e bërë maskën e detyrueshme në ambiente publike e duke ndaluar baret, kafenetë dhe lokalet e natës t’u shërbejnë klientëve që qëndrojnë në këmbë.
“Gjatë ditëve të fundit kemi vënë re moszbatim të masës së distancimit social dhe ka pasur raste të mbipopullimeve. Kjo ka çuar në rritje të rasteve me COVID-19”, deklaroi Nikos Hardialias, ministri i Mbrojtjes Civile.
Por punonjësit e industrisë së jetës së natës, thonë se masa mund të rezultojë katastrofike. Lokali i vogël i Brettos në Athinë shërben uzon e prodhuar vetë dhe pije të tjera tradicionale që prej vitit 1909. Por menaxherja Ana Mijailovic thotë se rrezikojnë të mos paguajnë dot faturat pas masës së re që i ndalon t’u shërbejnë klientëve në këmbë.
“Ne edhe më përpara nuk kishim shumë njerëz brenda. Tani masa e re nënkupton reduktim të mëtejshëm të klientëve, kështu nuk do të paguajmë dot faturat…”, shprehet ajo.
Policia po patrullon zonat turistike në destinacione popullore si Paros, Mikonos dhe Santorini dhe gjatë fundjavës lëshoi një sërë gjobash për lokalet e natës apo subjekte që shkelën rregullat. Mes masave të tjera që hyjnë në fuqi këtë muaj është gjithashtu ndalimi i vizitave në azile për të moshuarit dhe spitale deri në mesin e gushtit.