Kryesore Covid-19 i merr jetën skulptorit të njohur Arben Bajo

Covid-19 i merr jetën skulptorit të njohur Arben Bajo

Covid-19 vazhdon të shkaktojë viktima në vendin tonë. Së fundmi, virusi i ka marrë jetën edhe një artisti të njohur në Shqipëri, skulptorit Arben Bajo.

Lajmin e trishtë e dhanë miqtë e tij nëpërmjet rrjeteve sociale. Ndarja e Bajos nga jeta ka sjellë reagime të shumta nga personalitete të kulturës, por edhe politikës.

Kryeministri Edi Rama u shprehu ngushëllime familjarëve të artistit të njohur. Kreu i qeverisë shton se Bajo nuk arriti dot t’i mbijetojë këtij virusi vdekjeprurës, “që vazhdon të marrë jetë njerëzish nga kjo botë, duke sfiduar përparimin marramendës të shkencës e të mjekësisë, me kërcënimin e përsëritjes së kasaphanës së vitit 1918”.

“Fjalët përballë vdekjes s’kanë asnjë fuqi, po asgjë tjetër veç fjalëve vdekja nuk le për dëshmitarët e saj”, shkruan Rama.

Edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përmes një postimi në rrjetet sociale shprehu ngushëllimet për familjarët e Bajos, ndërsa tha se Shqipëria humbi një nga skulptorët më të mirë.

“Pas betejës me virusin e pabesë, Shqipëria humbi një nga skulptorët më të mirë, Akademia një nga profesorët më të përkushtuar, Tirana një nga qytetarët më fisnikë! Ngushëllime familjes së Arben Bajos në ditën më të vështirë – kryelartë për një prind, partner e artist të rrallë”, shkruan Veliaj.

Edhe deputeti i PS-së, Fate Velaj, reagoi në Facebook pas këtij lajmi të trishtë.

“Arben Bajo nuk është më. Unë nuk e ndihmova dot.

As ti.

As ai dhe ajo.

As shteti.

As Vaçe Zela.

Bronzi i saj.

Kitara.

As Sebastian Vaca tek “Vdekja e një artisti” në dekadencën e një shoqërie “elitare” dhe të paskrupull, e përdorur për të imponuar këndvështrimin e saj, tekat e saj.

  1. I. P. Kohës Tonë.
  2. I. P. Bronxit”, shkruan ai.

Arben Bajo lindi në vitin 1967 në Gjirokastër. Ai e kreu liceun në Fier dhe studioi skulpturë në Akademinë e Arteve të Bukura, në Tiranë. Ai ka hapur shumë ekspozita personale në Shqipëri dhe jashtë vendit.