Në fushë doli me një barazim 0-0 në transfertën ndaj Veronës në “Bentegodi”, por Roma e ka humbur ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, për shkak të një gabimi në listën e futbollistëve.
Vendimi u publikua pasditen e sotme nga Gjykata Sportive, e cila nuk e toleroi gabimin administrativ të verdhekuqve dhe i dha fitoren Veronës 3-0 në tavolinë, ndërsa Roma tani do të provojë të marrë pikët e para në fundjavë ndaj Juventusit.
Punonjësit e klubit verdhekuq nuk e kishin përfshirë mesfushorin Amadou Diawara në listën e futbollistëve mbi 22 vjeç dhe e kishin lënë ende në listën nën 22-vjeç, ndonëse ky i fundit ka mbushur 23 vjeç në muajin gusht.
Për shkak të këtij gabimi, mesfushori nuk ishte fare në listën e futbollistëve në dispozicion të Fonsecës për ndeshjen e të shtunës në mbrëmje ndaj Veronës, ndonëse më pas luajti në fushë për 90 minuta.
Gabime të tilla ndodhin rrallë edhe në nivelet amatore apo kampionate shumë më pak prestigjioze, ndaj mbetet për t’u parë reagimi i drejtuesve të klubit verdhekuq pas kësaj ngjarjeje që i kushtoi një pikë.