Policia e Tiranës ka finalizuar mëngjesin e kësaj të enjte operacionin e koduar “Collaboration 2”. Në një njoftim për mediat, blutë e Tiranës bëjnë me dije se kanë arrestuar 32-vjeçarin D.D., të cilit i është kapur një sasi lënde narkotike.
“Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore, u organizua dhe finalizua operacioni i koduar “Collaboration 2”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: D. D., 32 vjeç, banues në Tiranë, poseduesi i lëndës narkotike”, njofton Policia.
Më tej shtohet se aktiviteti kriminal zhvillohej në një banesë në rrugën “Bill Klinton”, të cilën 32-vjeçari e kishte kthyer në bazën e shpërndarjes së kanabisit.
Policia gjatë kontrollit në banesë gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 4 kg lëndë narkotike të dyshuar kanabis, një pjesë e së cilës ishte ndarë në doza gati për shitje, 1 aparat celular dhe një automjet.