Kryesore Drejtori i OBSH-së për Europën del kundër izolimit total të shteteve

Drejtori i OBSH-së për Europën del kundër izolimit total të shteteve

Drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, në Europë, Hans Kluge, tha se është “shumë i shqetësuar” për valën e dytë në Evropë, por është kundër rikthimit të izolimit total të shteteve.

Në vend të kësaj Kluge tha për CNN se mbajtja e maskave, së bashku me kontrollin e rreptë në tubimet shoqërore, mund të shpëtonin rreth 281,000 jetë në Evropë gjatë gjashtë muajve.

“Izolimi kombëtar është mundësia e fundit”, tha Kluge, duke shtuar se tani “dimë më shumë” mbi pandeminë.

Rastet e reja të koronavirusit po rriten me shpejtësi në pjesën më të madhe të Evropës dhe tejkalojnë rritjen e rasteve të reja në Shtetet e Bashkuara, sipas të dhënave nga Universiteti Johns Hopkins dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Pesë vendet evropiane më të prekura nga pandemia janë Franca, Britania e Madhe, Rusia, Spanja dhe Holanda.

Kluge tha se OBSH në Europë po bën thirrje për “masa lokale, të targetuara dhe proporcionale” që përfshijnë angazhimin me komunitetet dhe shmangien e dëmit kolateral nga ana sociale dhe ekonomike.

Kluge tha që qeveritë duhet të marrin në konsideratë ndikimin shoqëror të izolimit, duke përfshirë shëndetin mendor dhe dhunën në familje.