Aktualitet Balluku inspekton punimet për ujësjellësin e ri të Kavajës: Kantiere pune nga...

Balluku inspekton punimet për ujësjellësin e ri të Kavajës: Kantiere pune nga Vermoshi në Konispol

Qytetarët e Kavajës shumë shpejt do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm dhe për më tepër me një cilësi uji shumë herë më të mirë, se sa furnizimi aktual. Qeveria Shqiptare, përmes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve ka nisur një investim të rëndësishëm për ndërtimin e rrjetit të ri të ujësjellësit në bashkinë e Kavajës.

Ky projekt është një ndër 5 më të mëdhenjtë, që po realizohet aktualisht në nivel kombëtar, në funksion të objektivit strategjik për transformimin rrënjësor të sektorit të ujit dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Vlera totale e investimit kap shifrën e 6.3 milionë eurove dhe prej tij do të përfitojnë furnizim të pandërprerë me ujë të pijshëm afro 42 mijë banorë.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku e shoqëruar nga Drejtori i AKUM, Alqi Bllako dhe kryetari i Bashkisë Kavajë, Redian Krali, inspektuan ecurinë e punimeve, të cilat tashmë janë realizuar në masën 42%.

Drejtori i AKUM, Alqi Bllako tha se që prej vitit të largët 1978, kur është ndërtuar ujësjellësi i Kavajës, investimet në këtë sektor kanë qenë krejt sporadike dhe pa një modelim hidraulik, duke bërë që impakti i tyre të jetë pothuajse zero. Lidhur me investimin e ri, Bllako theksoi: “Investimi konsiston në rehabilitimin tërësor të rrjetit të brendshëm me pothuajse 107 kilometra rrjet të ri shpërndarës, matësa individualë për 11 mijë abonentë, konsumatorë individë dhe biznes, si dhe instalimin e sistemit SCADA”.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë tha se Qeveria Shqiptare është duke investuar nga veriu në jug në sektorin e ujit duke transformuar rrënjësisht situatën në këtë sektor kaq jetik për qytetarët. Këto investime, u shpreh Balluku, kanë në fokus jo vetëm garantimin e këtij shërimi për qytetarët, por edhe kthimin e tij në ligjshmëri ku në këtë pikë kërkohet edhe një ndërgjegjësim nga ana e vetë qytetarëve.

“E gjithë reforma që kemi bërë në sistemin elektro-energjetik në Republikën e Shqipërisë, qoftë përsa i përket mënyrës së shpërndarjes, uljes së humbjeve në rrjet, apo edhe mënyrën e pagesës nga qytetarët, ka bërë që sot, i gjithë ky shërbim të ofrohet më mirë, me cilësi dhe padyshim qytetari të paguajë atë të që konsumon. Të njëjtën gjë po mundohemi t’a bëjmë dhe me ujin. Pasi të përfundojmë të gjithë sistemin e investimeve, të cilin e kemi nisur nga Vermoshi e deri në Konispol, lind menjëherë nevoja që të ketë matësa uji kudo që investojmë, në mënyrë që qytetarët të kenë mundësi të paguajnë atë që konsumojnë, as më pak dhe as më shumë”, u shpreh ministrja Balluku.

Parametrat cilësorë të ujit që do të sigurojnë këto investime kanë qenë një tjetër pikë e rëndësishme në të cilën është ndalur ministrja Balluku: “Është e rëndësishme të theksojmë se, parametrat që ne kërkojmë janë parametra të vendosur edhe nga Bashkimi Europian, që janë 150 litrat e ujit për qytetar dhe nga ana tjetër çfarë është më e rëndësishme, ne kërkojmë që të legjitimojmë patjetër nevojën për ta pasur këtë shërbim bazik dhe jetësor, por t’a sjellim në parametrat e shërbimeve të tjera që ne ofrojmë”.

Për kryebashkiakun e Kavajës, Redian Krali, kufizimi i orareve të furnizimit me ujë të pijshëm ka qenë një shqetësim i banorëve të këtij qyteti ndër vite dhe i premtuar shumë herë, por që asnjëherë nuk u bë realitet. “Kavaja ka vuajtur shumë. Bashkëqytetarët e mi e kanë pasur jashtëzakonisht problem, pasi ka pasur një rrjet të amortizuar dhe kanë vuajtur shumë me pjesën e ujit. Falë mbështetjes së Kryeministrit dhe qeverisë Rama u bë i mundur ky investim, që do të zgjidhë këtë problem të trashëguar”, tha kryetari Bashkisë së Kavajës.

Ashtu si edhe në zonat e tjera, investimi në ujësjellësin e Kavajës i paraprin procesit të rindërtimit. Tubacionet e reja kanë nisur të shtrohen në zonën ku së shpejti do të ngrihen ndërtesat e reja për familjet e prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.

Ujësjellësi aktual i Kavajës është ndërtuar në vitin 1978 dhe gjatë viteve të fundit në të janë bërë vetëm ndërhyrje rehabilituese në segmente të vogla. Degradimi ndër vite i rrjetit ndikonte direkt në furnizimin e banorëve me ujë të pijshëm si nga sasia ashtu edhe nga cilësia, ndërsa më shumë se gjysma e abonentëve ishin të papajisur me ujëmatësa.