Bojkoti i produkteve turke, pavarësisht se nuk është shpallur në mënyrë zyrtare nga disa vende arabe, fitoi peshë pasi u mbështet publikisht edhe nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.
Ai i inkurajoi turqit që “të injorojnë mallrat franceze, duke mos i blerë” gjatë një fjalimi në televizion.
Kjo ishte kthesa e radhës në spiralen e përplasjes së tij verbale me homologun francez, Emmanuel Macron, pas vërejtjeve të këtij të fundit mbi islamin.
Brenda disa orësh, Fondacioni i Rinisë Turke (TÜGVA), një organizatë afër qeverisë, hodhi në qarkullim një “listë bojkoti” të markave franceze, që nisin nga zinxhiri i supermarketeve Carrefour dhe gjiganti i energjisë Total, te Danone, konglomerati ushqimor dhe prodhuesit e makinave Peugeot dhe Renault. Në listë ishin edhe Louis Vitton dhe Chanel.
Por ndërsa fushata gjeti një mbështetje në mediat sociale, nuk ishin pak edhe ata që nisën të tallen. Disa thanë me shaka se, në një ditë kur monedha turke ra në minimumin historik 8.55 në krahasim me euron, nuk është nevoja për bojkot të markave luksoze franceze sepse ato nuk mund të përballohen nga turqit në asnjë rast.
E megjithatë, shenja të menjëhershme të bojkotit nuk ka.
Ali Babacan, ish-ministër i Financave të Erdoğan, i cili tani është bashkuar me opozitën, e quan këtë një lëvizje naive. “Ka produkte që mbajnë marka franceze dhe që prodhohen në Turqi. Ato prodhohen këtu por marka e tyre është franceze. Çfarë do të bëni, t’i bojkotoni edhe ata? Qytetarët tanë punojnë atje. Më besoni, në një botë të globalizuar këto janë thjesht gjëra fëmijësh”.
Nëse konsumatorët turq vendosin t’i refuzojnë mallrat franceze, dëmi do të jetë reciprok.
Instituti turk i statistikave e rendit Francën si burimin e 10-të më të madh të importeve dhe tregun e shtatë më të madh të eksportit për Turqinë.
Një firmë e madhe franceze e vendosur në Turqi është Renault, e cila ka atje fabrikën më të madhe të prodhuesit të makinave jashtë Evropës Perëndimore. Në të punojnë mbi 6 000 njerëz.
Një tjetër është zinxhiri i supermarketeve Carrefour. Filiali i tij turk drejton 643 dyqane në të gjithë vendin dhe ka punësuar 10 500 njerëz.
Në disa vende arabe, bojkoti u bë më konkret. Disa produkte franceze u zhdukën nga raftet e supermarketeve. Por edhe atje, pesha e kompanive franceze nuk është e vogël. Në Emiratet e Bashkuara, vetëm rrjeti i supermaketeve Carrefour ka 37 mijë punonjës.
Për presidentin e shoqatës franceze të punëdhënësve Medef, Geoffroy Roux de Bézieux, thirrjet për bojkotim kundër Francës në vendet arabe janë “një lajm i keq”. Në të njëjtën kohë ai u bëri thirrje anëtarëve të shoqatës t’i kundërvihen një “shantazhi” të tillë: “Vlerat tona vlejnë më shumë sesa biznesi ynë,” tha ai për radion RMC.
Një bojkot i mirëfilltë duket i pagjasë, pavarësisht thirrjes në rrjetet sociale.
Dlawer Ala’Aldeen, presidenti i Institutit të Kërkimeve të Lindjes së Mesme në Erbil, Irak, thotë se tregues për këtë është fakti se asnjë vend mysliman nuk kishte deklaruar ende zyrtarisht bojkot.
“Disa vende që ndoshta mbështesin Turqinë, të tilla si Katari, dhe shumë organizata ose biznese që janë në pronësi të aleatëve të tyre si Vëllazëria Myslimane dhe të tjerë, ata mund të fillojnë t’i zbatojnë këto pa ndonjë deklaratë zyrtare ose pa miratim zyrtar të politikave. Por shumica e vendeve në Lindjen e Mesme nuk dëshirojnë të shkojnë aq larg”, thotë ai për Euronews.