Një debat i fortë është shënuar këtë të enjte në parlament mes deputetit Ralf Gjoni, ministres Ogerta Manastirliu dhe nënkryetares së Kuvendit, Vasilika Hysi.
Deputeti u shpreh se Franca dhe SHBA-ja si superfuqi që janë nuk do të përdorin vaksinën e dalë nga programi Covax, pasi është bërë për vendet e botës së tretë.
Por me tone të ashpra foli, ministrja Manastirliu e cila e quajti konspiracionist Ralf Gjonin. Me ndërhyrjen e nënkryetares së Kuvendit tonet në sallë u shtuan, me deputetin që kërkonte fjalën për procedurë për të sqaruar deklaratat e tij, ndërsa deputeti opozitar Halit Valteri ka folur ashpër për deputetët që sipas tij tallen me pandeminë e koronavirusit. Pas fjalës së kolegut të tij Ralf Gjoni, i cili tha se vende si Franca e SHBA-ja nuk do të marrin vaksina nga programi Covax, Valteri u shpreh se askush nuk duhet të dezinformojë opinionin publik.
Ralf Gjoni: Si ka mundësi që Franca një zyrtar i Ministrisë së Shëndetësisë franceze, para një muaji duke folur në kushtet e anonimatit është shprehur tekstualisht “Përsa i përket Covax-it Franca është e qartë, ne do të japim fonde për të zhvilluar vaksinën për botën e tretë, por Franca nuk do të blejë vaksina nga programi Covax”. SHBA nuk do të blejë vaksina nga Covax. Britania nuk do të blejë vaksina nga Covax. Pse këto vende të zhvilluara nuk i duan këto vaksina për popullatat e tyre, ndërkohë ne duhet të kemi besim tek efikasiteti i një vaksine që nuk ekziston ende? Çfarë po përgatisim që të fusim në gjakun e popullatës shqiptare? Çfarë lloj kimikatesh keni programuar ju? Çfarë garancish keni ju që kjo dozë do të krijojë imunitetin? Përse vendet më të zhvilluara perëndimore BE-ja, SHBA-ja, Kanadaja etj., preferojnë të zhvillojnë tratativa me kompani serioze private e shumë të tjera për të prokuruar doza të vaksinën. Vaksina më efikase duhet të ruhet në kushte frigoriferike të cilat Shqipëria dhe vende të botë së 3 nuk i kanë. Covax është iniciativë e Bill Gates dhe nëse ju doni t’i jepni 3 mln dollarë, bëjeni ministre, por nuk keni nevojë që të transferoni përgjegjësinë e kësaj marrëveshje të dyshimtë tek parlamenti duke sjellë këtu për ratifikim.
Ogerta Manastirliu: Një shprehje thotë ndërsa shumica punojnë, ka edhe nga ata pak që konspirojnë. Me siguri zoti Gjoni është nga kjo kategoria e dytë. Më lejoni të them për shqiptarët që marrëveshja që ky parlament do të miratojë sot është një marrëveshje që garanton se kur vaksina e sigurt dhe efektive të jetë pranuar dhe këtu bëhet fjalë edhe për vaksinat e Johnson & Johnson edhe të Modernës. Covax-i financohet nga të gjitha vendet për të mundësuar daljen e vaksinës së sigurt… Informohuni mirë përpara se të dezinformoni. Informohuni mirë sepse sikurse drejtori i OBSH tha “pandemia ka sjellë lodhje, kujdes nga lodhja”. Duhet të jemi të qartë për diçka, të bazohemi tek të vërtetat. Mos të krijojmë frikë tek njerëzit. Asgjë në vend nuk do të vijë e pacertifikuar nga organizatat ndërkombëtare. Mos konspironi, punoni në të mirë të njerëzit, mbani maskat, lani duart… Kështu i ndihmoni shqiptarët. Mos ndërtoni mbi konspiraci, e konspiraci gjëra të paqena që t’u fusni njerëzve frikë, çipa nga ato që vetëm ju dini t’i bëni dhe të bëni politikë me pandeminë. Kjo është situatë serioze.
Ralf Gjoni: Nuk është e vërtetë…
Vasilika Hysi: Zoti Gjoni ju tërheq vëmendjen. Respekto rregullat. Ju që lexoni kaq shumë libra, lexoni rregullore. Nuk jua jap fjalën. Ju jap masën për herë të dytë tërheqje vëmendje. Fjalën e ka kërkuar për procedurë zoti Valteri.
Ralf Gjoni: Ju lutem zonja kryetare më tjetërsoi fjalën. Më duhet ta shpjegoj.
Vasilika Hysi: E para atë gishtin mos ia trego asnjëri. E dyta nëse keni lexuar trefishin e librave të mi, lexo rregulloren e Kuvendit. E treta respekt për ministren dhe stafin shëndetësor dhe gjithë ato jetë të humbura e që sot luftojnë me Covid. Sot duhet të jemi bashkë me mjekët dhe të qetësojmë familjet që kanë të sëmurë dhe luftojnë me vdekjen. Ulu. I kam dhënë fjalën zotit Valterit, pastaj ju.
Halit Valteri: “Po dëgjojmë nga kjo foltore shumë njerëz që po tallen me këtë flamë, kur ne kemi humbur familjarë, të afërm, miq dhe sot e kësaj dite në Sanatorium dhe në spitale vuajnë pacientët. Zonja ministre faleminderit të madhe për gjithçka që bëni dhe faleminderit gjithë mjekët. Faleminderit që po rrezikoni jetët tuaj për të dalë në mbrojtje të jetëve tona. Nuk ka vend ky parlament për të dezinformuar opinionin publik. Ne duhet të bëhemi të gjithë bashkë dhe të mos bëjmë politikë me jetën. Askush nuk ka fytyrë, të vijë të flasë dhe t’u thotë shqiptarëve që kjo sëmundje nuk po na rrezikon, jo s’ka Covid, jo ka Covid. Mblidhni mendjen e kokës sepse shqiptarët sot kanë nevojë për mbështetje. Ministria, spitalet, mjekët, kanë nevojë për mbështetjen tonë dhe ju lutem, mos hani kot atë që nuk thuhet, faleminderit”.