Mjeku shqiptar në Angli, Adrian Fandi komentoi për Euronews Albania raportimin më të fundit se vaksina e Universitetit të Oksfordit dhe kompanisë AstraZeneca, e cila ndalon me 70% infektimin nga COVID-19. Ai u shpreh se aktualisht ka nisur shpërndarja te stafet mjekësore, ndërsa për shpërndarje në masë pritet të bëhet në periudhën shkurt-mars.
Fandi tha se zanafilla e kësaj vaksine është në Itali te Institutin imunologjik të Romës dhe analizat më tej janë zhvilluar në Angli. Ai tha se nuk ka pasur efekte anësore të rëndësishme dhe se pozitive është fakti se kjo vaksinë mund të ruhet në çdo frigoriferë normalë.
“Duke pasur parasysh se vaksinat e tjera duhen ruajtur në temperatura shumë të ulëta, si azot të lëngshëm, mbetet e paqartë se si do të shpërndahen ato, ndaj mund të them se më shumë se lajm mjekësor rezultatet e tyre mund të quhen lajme ekonomike,” – u shpreh mjeku Fandi.
Gazetarja Bruna Çifligu e pyeti mjekun nëse ka shqetësime me faktin se kjo vaksinë e Oksfordit ka efektshmëri më të ulët se të tjerat. Fandi u përgjigj se 70% mbetet një e dhënë e mirë dhe tejet pozitive është fakti se këto të dhëna vijnë të verifikuara, ndryshe nga vaksinat e tjera, si për shembull ajo ruse.
“Testi i vërtetë i vaksinës është në periudhën kur shpërndahet në popullatë të gjerë, nuk mund të rendim te vaksinat e tjera, por shihen mundësitë që janë në terren për shpërndarjen e saj, kapacitetet dhe mundësinë ruajtëse. Dakord ti e merr vaksinën por nëse nuk e ruan që ajo të mos skadojë i çon dëm të gjitha përpjekjet,” – u shpreh mjeku shqiptar.
Duke diskutuar vaksinat, mjeku Fandi tha se mbetet e paqartë se si vaksina e Pfizer, e cila kërkon një temperaturë mbajtjeje të vaksinës -70 gradë celcius, t’i injektohet pacientëve./Euronews Albania