Pavarësisht zërave të ditëve të fundit për një transferim te Paris Saint Germain apo rikthim te Reali i Madridit, Cristiano Ronaldo do të vijojë të jetë pjesë e Juventusit deri në verën e 2022-shit dhe madje mund të rinovojë edhe më tej bashkëpunimin.
Ka qenë drejtuesi i bardhezinjve, Fabio Paratici ai që ka hedhur poshtë zërat e merkatos dhe ka theksuar se në klub besojnë shumë te portugezi, i cili nuk ka zhgënjyer asnjëherë në fushën e lojës dhe shpesh ka udhëhequr skuadrën drejt sukseseve.
Me Pirlon në pankinë Juventusi ka nisur një proces rinovimi, pasi janë bërë pjesë e ekipit shumë emra të rinj, që garantojnë cilësi për shumë vite në vazhdim, por njëkohësisht edhe frymëmarrje për arkat e klubit, pasi fitojnë më pak se emra të tjerë që kanë lënë Torinon së fundi.
Megjithatë, ndonëse Ronaldo do të mbushë 36 vjeç në shkurt, duke parë formën e mirë të portugezit dhe atë që Ibra po bën me Milanin ndonëse me 39 vite mbi supe, drejtuesit e Juves nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga CR7.
Përkundrazi, tani i mbetet detyrë Andrea Pirlos që të ndërtojë një formacion ku portugezi të marrë pjesë shumë më pak në fazën mbrojtëse të lojës, në mënyrë që të jetë më efektiv dhe i fortë në aksionet sulmuese.