Tashmë është zyrtare. Skuderia Haas njoftoi zyrtarisht afrimin e Mick Schumacher si pilotin e ri për sezonin 2021 të Formula 1.
Djali i legjendës Michael Schumacher, i cili kryeson kampionatin e Formula 2, do të garojë përkrah rusit Mazepin.
Kalimi i Schumacherit të vogël në elitën e garave me makina ishte vendosur prej kohësh dhe në këtë ngritje ka meritë edhe Ferrari, duke qenë se Haas është skuderi satelit e Maranelos dhe piloti i ri ishte pjesë e akademisë së “kokëkuqes”.
Me prezencën e Mick në Formula 1, mbiemri legjendar i familjes Schumacher kthehet në cirkus pas thuajse një dekade. Gjermani do të debutojë me ekipin e ri në fundjavën e fundit të Botërorit 2020, ku do të drejtojë njëvendëshen në sesionin e parë të provave të lira në Abu Dhabi.
Ai do të jetë gjithashtu protagonist me ekipin amerikan edhe në testin e pilotëve të rinj, që do të zhvillohet po në cirkuitin e Yas Marinas më datë 15 dhjetor. Në fjalë të para pas zyrtarizimit, Schumacher tha se ka “besuar gjithmonë te realizimi i ëndrrës për të garuar në Formula 1”.