Opinione Me Joe Biden, Amerika është rikthyer, por jo në krye të tryezës

Me Joe Biden, Amerika është rikthyer, por jo në krye të tryezës

Nga Aaron David Miller & Richard Sokolsky – National Public Radio

Joe Biden ka krijuar një nga ekipet më me përvojë dhe më të talentuara të sigurisë kombëtare dhe të politikës së jashtme në dekadat e fundit. Pjesëtarët e tij e kuptojnë që bota ka ndryshuar, por që ata nuk mund të shtypin dot butonin e kthimit si me magji të gjërave si në vitin 2016.

Më e rëndësishmja, ata e kuptojnë se sfida kryesore me të cilën ballafaqohet shefi i tyre është rregullimi i “shtëpisë së shkatërruar” amerikane, që do jetë çelësi i suksesit apo i dështimit të presidencës së tij. Nëse administrata dëshiron që të ketë sukses, asaj do t’i duhet të krijojë një stil lidershipi më bashkëpunues dhe më pak perandorak, të zgjedhë me zgjuarsi betejat e saj për promovimin e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, dhe të mos hedhë poshtë automatikisht disa gjëra, për të cilat presidenti Trump pati kryesisht të drejtë mbi politikën e jashtme.

Biden ka folur për “shekullin amerikan”. Ai ka thënë “Amerika është rikthyer, ne jemi sërish në krye të tryezës”, teksa ka theksuar se “bota nuk mund të organizohet vetë”.

Por si mund ta udhëheqë SHBA-ja një botë të cilin nuk e sundon më? Dhe jo thjesht me deklarata. Pas 4 viteve sulme të pandalshme të Trumpit ndaj normave dhe institucioneve, të brendshme dhe të huaja, Amerika do të duhet që t’i bindë të tjerët se mund të udhëheqë përsëri. Po ashtu, administrata e ardhshme do të duhet të bindë publikun amerikan, se politika e jashtme ka rëndësi për shumë amerikanë përtej Uashingtonit.

Duke pasur parasysh ankthet e mëdha mbi ekonominë, sidomos në mesin e një pandemie, administrata Biden do të duhet të identifikojë sesi lidhen objektivat e politikës së jashtme me shqetësimet e klasës së mesme, veçanërisht në krijimin ose eliminimin e vendeve të punës me paga të mira, dhe si të rigjenerojë industritë bazë që ndihmojnë ekonomitë lokale.

Në sytë e botës, administrata e re do të fillojë punën me shumë disavantazhe. Imazhi i demokracisë sonë është njollosur; pandemia e ka dëmtuar reputacionin tonë si një shtet që mund t’ia dalë në çdo situatë, dhe tërheqja nga organizatat dhe marrëveshjet ndërkombëtare e ka dëmtuar në maksimum besueshmërinë tonë në botë.

Më shumë vende janë të gatshme të zmbrapsen, siç ka argumentuar eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Stephen Walt, për ta dobësuar fuqinë amerikane. Në fakt, shumë nga miqtë tanë në rajonin e Azi-Paqësorit po ndjekin rrugën e tyre të tregtisë dhe çështjeve ekonomike. Edhe disa nga aleatët tanë evropianë, po kërkojnë një autonomi më të madhe strategjike nga Shtetet e Bashkuara. Dhe për disa çështje, në veçanti ngrohja globale, evropianët – dhe jo vetëm Amerika – kanë fituar të drejtën të ulen në krye të tryezës së Biden.

Thënë thjesht, SHBA është tani e para midis të barabartëve për shumë çështje. Ajo mund të propozojë, por jo të shkatërrojë. Ajo nuk është më, siç thoshte dikur Richard Nixon, një “gjigant i mëshirshëm”. Prandaj, Uashingtoni do të bënte mirë të mos e harronte ,se asnjë vend nuk dëshiron t’i nënshtrohet presionit të SHBA-së.

Nëse administrata e re, ashtu si paraardhësja e saj, vazhdon të përdorë pa dallim sanksione dhe instrumente të tjerë shtrëngues për të futur në siklet aleatët, apo për të mposhtur kundërshtarët, ajo do të zbulojë se as aleatët e saj, dhe as kundërshtarët nuk do t’i binden diktatit të SHBA-së.

Biden është me të drejtë i vendosur t’i japë një rol më qendror në politikën amerikane promovimit të demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Kjo gjë është sa e domosdoshme, po aq edhe e kuptueshme, teksa deri tani kemi parë Trumpin të shkëmbente“letra dashurie” me diktatorë, duke iu drejtuar autoritarëve, dhe duke mos e larguar Amerikën nga vlerat dhe parimet e saj.

Biden ka merita për propozimin e një “Samiti për Demokracinë”, apo për kritikat e ashpra ndaj disa sundimtarëve autoritarë në Arabinë Saudite, Egjipt, Kore të Veriut, Kinë dhe Turqi. Por të qarta janë edhe efektet negative të ndarjes së botës, në vende që janë të lira dhe jo të lira.

Arritja e shumicës së përparësive kryesore të politikës së jashtme të Biden, do të kërkojë disa bashkëpunime dhe kompromise me regjime autoritare – qoftë për ndryshimin e klimës dhe pandeminë me Kinën, për kontrollin e armëve me Rusinë, apo mospërhapjen e armëve bërthamore me Iranin dhe Korenë e Veriut.

Pra, administrata do të duhet të bëjë disa kompromise në kurriz të vlerave të saj, siç kanë bërë të gjithë paraardhësit në të kaluarën, për të gjetur zgjidhje për problemet që mund të çojnë përpara interesat e SHBA-së.

Kësisoj, administrata e ardhshme do të duhet të zbutë disi impulsin e saj për një qëndrim moral, dhe të këtë më shumë pragmatizëm. Ajo duhet të jetë e kujdesshme mbi krijimin e “vijave të kuqe”, apo “testeve morale”, ndaj vendeve autoritare, të cilat e bëjnë të pamundur bashkëpunimin për çështje jetike.

Ndërkohë, duhet të kihet parasysh fakti që lidhja publike e vendeve me praktikat e tyre jodemokratike dhe abuzimet e të drejtave të njeriut, është shpesh kundër-produktive. Kushtëzimi i ndihmës amerikane me vullnetin e një vendi, për të përmirësuar sjelljen e tij në raport me respektimin e të drejtave të njeriut, ka qenë rrallë e suksesshme, dhe autokratët nuk do të ndryshojnë karakterin e brendshëm të vendeve të tyre,si pasojë e lutjeve apo presionit amerikan.

Dëshira për të zhbërë gjithçka që bëri Trump në politikën e jashtme është e kuptueshme. Në shumë sektorë, presidenti në ikje ishte më shumë një“skllav” i bazës së tij të mbështetësve, apo i vanitetit personal, sesa një administrator i përgjegjshëm i interesit kombëtar.

Ndaj, zbatimi i shumë vendimeve të tij ishte amator dhe i papërgjegjshëm. Gjithsesi, Biden duhet të vazhdojë tërheqjen e forcave amerikane nga Iraku dhe Afganistani, edhe pse në një mënyrë më të rregullt dhe të përgjegjshme. Ai duhet të heqë dorë nga iluzioni se Bashar Asad mund të rrëzohet nga pushteti në Siri, si dhe të shmangë ndërhyrjet e reja ushtarake, veçanërisht në Lindjen e Mesme, problemet e të cilës janë përtej aftësive të Amerikës për t`i zgjidhur. Nga ana tjetër Trump kishte të drejtë në qëndrimin e tij më të ashpër ndaj politikave tregtare dhe teknologjike të Kinës.

Edhe Biden duhet t’u japë përparësi këtyre sfidave, por pa unilateralizmin e ashpër të Trump. Gjithashtu, presidenti i zgjedhur duhet të vazhdojë politikën e Trump për të investuar në normalizimin e raporteve izraelito-arabe. Por ai gjithashtu duhet t’i japë fund luftës së tij kundër palestinezëve, dhe të përpiqet të nxisë një bashkëpunimin më të madh izraelito-palestinez, sado modest qoftë ai.

Biden, me imazhin e tij të merituar të përulësisë që ka dëshmuar, ka folur vazhdimisht për Amerikën që udhëheq botën. Dhe aktivizmi në politikën e jashtme është në ADN-në e këshilltarëve të tij. Ata e kuptojnë se Amerika nuk mund t’i zgjidhë e vetme të gjitha problemet e botës, por siç është në zakonin e diplomatëve amerikanë, ata duan që t’i rregullojnë gjërat.

Por ata duhet të jenë të kujdesshëm në padurimin e tyre, për të mos shkelur pengesat që qëndrojnë rrugës, dhe të mos e humbin kontaktin me realitetin, që edhe kombet e tjera kanë gjithashtu interesa jetikë që nuk mund të injorohen, vetëm sepse Amerika është fuqia e domosdoshme, e jashtëzakonshme dhe e drejtë, dhe të tjerët duhet të ndjekin shembullin e saj.

Amerika mund të udhëheqë ende, dhe të jetë një forcë pozitive në një botë të trazuar. Por arkitektët e politikës së saj të jashtme, duhet të veprojnë me maturi, mençuri dhe përulësi, dhe mbi ta gjitha, t`a shohin botën jo vetëm siç ata dëshirojnë që të jetë, por ashtu siç ajo është në të vërtetë.