Bota Rusia nis vaksinimin, mësuesit dhe mjekët marrin dozat e para të “Sputnik...

Rusia nis vaksinimin, mësuesit dhe mjekët marrin dozat e para të “Sputnik V”

Pak ditë para se Britania e Madhe të nisë vaksinimin e popullsisë kundër koronavirusit, duke u bërë i pari vend që aprovon vaksinën e Pfizer dhe Biontech, Rusia ka nisur të injektojë dozat e para të Sputnik te popullsia e gjerë. Mësuesit ishin ata që morën të parën vaksinën e prodhuar në vend, si pjesë e një programi vullnetar imunizimi kundër koronavirusit.

“E bëra vaksinën për sigurinë time dhe të njerëzve të afërt. Fillimisht nuk besoja tek koronavirusi, derisa një i afërmi im u infektua. Kështu vendosa të jem e para në familjet time që vaksinohem”, u shpreh Zulfiya Sosnovskaya, mësuese.

Presidenti rus, Vladimir Putin, urdhëroi që të niste pa humbur kohë vaksinimi i mësuesve, stafit shëndetësor dhe punonjësve social nga mosha 18 deri në 60 vjeç. Putin tha se Rusia do të prodhojë 2 milionë doza të vaksinës gjatë ditëve në vazhdim e një shërbim online u prezantua të premten për të prenotuar takime për vaksinim. 100 mjekët e një spital në Domodedovo, qytezë në rajonin e Moskës i kanë marrë tashmë 2 dozat e vaksinës.

“Kemi vaksinuar disa persona që janë mbi 60 vjeç, e nuk ka pasur efekte anësore apo komplikacione. Vaksina funksionon dhe është tejet efikase. Kemi testuar disa njerëz për antitrupa pas vaksinimit, dhe rezultatet janë shumë të mira”, tha Andrei Osipov, shefi spitalit të Domodedovos.

Sputnik 5, një prej dy vaksinave që është aprovuar për përdorim masiv në Rusi, ende pa përfunduar faza e tretë e eksperimenteve, përbehet nga dy doza. Muajin e kaluar, Moska tha se Sputnik kishte një efektshmëri prej 92 përqind dhe nuk shkaktonte efekte të rëndësishme anësore.