Kina paraqet kërcënimin më të madh për Shtetet e Bashkuara, tha William Burns, kandidati i Presidentit të SHBA Joe Biden për drejtor të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës (CIA), i cili ka premtuar se agjencia do të jetë e pavarur nga politika.
Në skenën ndërkombëtare, “gjithnjë e më komplekse dhe konkurruese”, qëndrimi “grabitqar” i qeverisë kineze përfaqëson “sfidën tonë më të madhe gjeopolitike”, tha ish-diplomati gjatë dëgjimit para komitetit të inteligjencës së Senatit, i cili duhet të konfirmojë emërimin e tij, raporton AFP.
“Siç theksoi Presidenti Biden, përparësia mbi Kinën është e rëndësishme për sigurinë tonë kombëtare në dekadat e ardhshme.”
CIA, në shënjestër të shërbimeve kineze
“Kjo kërkon një strategji afatgjatë, të qartë dhe me mbështetjen e të dy palëve, me mbështetjen e reformave të brendshme dhe me inteligjencë të besueshme”, tha Burns.
Është në interes të Uashingtonit dhe Pekinit që të punojnë së bashku për ndryshimin e klimës dhe mospërhapjen e armëve.
Ish-njeriu i dytë i diplomacisë amerikane paralajmëroi se “regjimi kinez po forcon sistematikisht kapacitetin e tij për të vjedhur pronën intelektuale, të shtypë njerëzit e tij, të ngacmojë fqinjët e tij, të zgjerojë fuqinë e tij në botë dhe të forcojë ndikimin e tij brenda shoqërisë amerikane”.
CIA ka qenë në shënjestër të inteligjencës kineze vitet e fundit, e cila ka rekrutuar më shumë agjentë dhe diplomatë.
Beteja për epërsinë teknologjike
Dhjetë vjet më parë, Pekini arriti të thyejë rrjetin e informatorëve të agjencisë amerikane të inteligjencës në Kinë.
Burns theksoi se beteja për epërsinë teknologjike në fushën e inteligjencës, duke përfshirë inteligjencën artificiale, do të jetë një element kryesor i misionit të tij.
Burns do të zëvendësojë Gina Haspel, gruaja e parë në krye të CIA-s, karriera e së cilës është njollosur nga roli i saj i diskutueshëm në programet e torturave pas sulmeve të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington.