Të shtunën, si pjesë e vizitës së tij të parë në Irak, Papa Françesku u takua me Ajatollahun e Madh Ali Sistani, udhëheqësi suprem fetar i shiitëve dhe kërkoi rëndësinë e bashkëjetesës së qëndrueshme në një vend të shkatërruar nga dhuna dhe konflikti.
Takimi i Papa Françeskut dhe Ali Sistanit në qytetin e shenjtë Najaf gjatë turneut të rrezikshëm të Papës në Irak është takimi i parë dhe historik midis një Pape dhe udhëheqësit më të lartë shpirtëror shiit. Televizioni shtetëror Ekhbariya tregoi karvanin e madh të Papës duke lëvizur nëpër Najaf, ndërsa fëmijët qëndronin në rrugë duke tundur flamuj të Irakut dhe Vatikanit, njoftoi Reuters.
Pas një takimi 55 minutësh me Sistanin, Papa Françesku u drejtua për në rrënojat e qytetit antik të Urit, i konsideruar si vendlindja e Abrahamit (Ibrahimit), babait të Judaizmit, Krishtërimit dhe Islamit, ku do të mbajë një fjalim në një takim ndërfetar. Pas kësaj, Papa do të kthehet në Bagdad ku do të drejtojë meshën në katedralen e Shën Jozefit.
Sistani është një nga figurat më të rëndësishme të Shiizmit, si në Irak ashtu edhe gjetkë në botë, thanë agjencitë. Sistani, 90 vjeç, rrallë mban takime dhe refuzon të flasë me kryeministrat aktualë dhe ish-kryeministra, thonë zyrtarë pranë tij. Sistani pranoi të takohej me Papën, por pa praninë e zyrtarëve irakianë, tha një burim nga zyra presidenciale.
Takimi me Papa Françeskun u mbajt në shtëpinë e Sistanit në Najaf, ku ai ka banuar për dekada.
Sistani, i cili përfaqëson një udhëheqës të miliona pasuesve shiitë, ndërhyri gjatë situatave kritike në Irak ndërsa vendi kaloi nga një krizë në tjetrën. Ai rrallë shfaqet në publik.
Gjatë bisedimeve rreth 50 minuta, Sistani konfirmoi se qytetarët e krishterë duhet të jetojnë si të gjithë irakenët e tjerë në paqe dhe siguri, me të gjitha të drejtat e tyre kushtetuese.
Disa grupime militante shiite kanë kundërshtuar vizitën duke pretenduar se turi i Papës shton ndërhyrjen perëndimore në punët e brendshme të shtetit. Minoriteti i krishterë është goditur rëndë nga valët e ndryshme të dhunës që prej pushtimit amerikan të Irakut në vitin 2003.
Kjo është vizita e parë ndërkombëtare e Papa Françeskut që prej nisjes së pandemisë dhe vizita e parë papale në këtë shtet. Covid-19 dhe shqetësimet lidhur me sigurinë e kanë bërë këtë udhëtimin më të rrezikshëm.
Rreth 10 mijë forca sigurie janë vendosur në dispozicion për të garantuar mbarëvajtjen e vizitës së kreut të Vatikanit, ndërsa në zbatim janë dhe orare të ndryshme shtetrrethimi për të penguar përhapjen e koronavirusit.
Lideri 84-vjeçar i Kishës Katolike u prit fillimisht nga kryeministri Mustafa al-Kadhimi në aeroportin e Bagdatit, me një atmosferë me këngë dhe shpata. Ati i shenjtë bëri thirrje që të ndalojnë aktet e dhunës dhe ekstremizmit, përçarjes dhe intolerancës. Gjithashtu vizitoi një katedrale në Bagdad, ku i bëri homazhe 52 personave të vrarë gjatë një sulmi terrorist në vitin 2010.