Politika Prishja e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Meta: Ndërhyrje barbare ndaj historisë

Prishja e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, Meta: Ndërhyrje barbare ndaj historisë

Presidenti Ilir Meta ka reaguar sot për shembjen e një pjese të materniteti “Mbretëresha Geraldinë”. Meta ndërhyrjen e quan brutale, pa transparencë, dhe sipas tij është një tjetër atentat, “në vijim të sulmeve barbare ndaj historisë, trashëgimisë kulturore dhe identitetit tonë kombëtar“.

Për Presidentin prishja e maternitetit është njësoj si shembja e Teatrit Kombëtar dhe shton se janë bërë në shkelje të Kushtetutës, ligjit për konsultimin publik dhe të gjitha parimeve për mbrojtjen e vlerave të trashëgimisë historike e kulturore.

Më tej Meta shton se solidarizohet me qëndrimin e Unionit të Arkitektëve, Urbanistëve dhe Planifikuesve të Shqipërisë për çështjen e ndërhyrjes mbi godinën e maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”. Në fund kreu i shtetit u bën një premtim qytetarëve: “U premtoj të gjithë shqiptarëve se pas 25 prillit në Shqipëri do të nisë epoka e referendumeve, për t’u dhënë të drejtën qytetarëve të vendosin vetë mbi të gjitha çështjet e rëndësishme me interes publik“.