Bota Sulm i armatosur në një supermarket në Kolorado, vriten 10 persona, mes...

Sulm i armatosur në një supermarket në Kolorado, vriten 10 persona, mes tyre një polic

10 persona mbetën të vrarë në Kolorado të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfshi edhe policin e parë që mbërriti në vendin e ngjarjes, teksa një person i armatosur hapi zjarr në një supermarket.

Ngjarja e rëndë ndodhi në qytetin e vogël të Boulder, rreth një javë pas sulmeve në 3 SPA në Atlanta, ku 8 persona humbën jetën.

Policia e arrestoi agresorin e dyshuar, por ende nuk ka një motiv për ngjarjen e rëndë.

Duke folur në një konferencë për mediat pas ngjarjes, shefja e policisë së Boulder, Maris Herold konfirmoi arrestimin e sulmuesit.

Zonja Herold nuk dha detaje të mëtejshme në lidhje me ngjarjen, por shtoi se hetimi për këtë rast ishte “shumë kompleks” dhe do të duheshin “jo më pak se pesë ditë për të përfunduar”.

Presidenti Joe Biden u informua menjëherë në lidhje me ngjarjen. Muajin e kaluar, Presidenti u zotua të propozonte një legjislacion më të rreptë për kontrollin e të kaluarës së atyre që blejnë armë zjarri.