Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kërkojnë Serbisë që dialogun me Kosovën ta përmbyllë me njohje reciproke. Këtë e ka parashtruar sekretari i shtetit, Antony Blinken, në një letër dërguar presidentit, Aleksandër Vuçiç.
“SHBA-ja është e përkushtuar për marrëdhëniet tona afatgjata. Ne ndajmë vizionin e një Serbie demokratike, të qëndrueshme, të zhvilluar dhe demokratike në hapin drejt anëtarësimit në BE. Qëllimi afatgjatë i SHBA-së ka qenë ta shoh Serbinë dhe Kosovën të arrijnë marrëveshje gjithëpërfshirëse e përqendruar në njohjen reciproke. Unë i mbaj në mend plotësisht bisedat tona të mira dhe po pres me padurim rinovimin e tyre”, shkroi Blinken me stilolaps në fund të letrës, e cila u dërgua më 23 shkurt dhe me të cilën ai e falënderoi Vuçiçin për urimin e tij për emërimin si Sekretar i Shtetit.
Letrën e marrë nga Blinken, Vuçiç e zbuloi një ditë më parë, duke vlerësuar se “duke mos llogaritur historinë e njohjes reciproke me Kosovën”, mesazhi ishte “kuptimplotë dhe i mirë” në të gjitha aspektet e tjera, për të cilat ai falënderoi Blinkenin.
“Unë e përgëzova atë për emërimin në një pozicion të rëndësishëm në Shtetet e Bashkuara dhe besoj se ai gjithashtu kujtoi bashkëpunimin tonë. Ai madje shkroi diçka me dorën e tij, kështu që ky është një lajm i rëndësishëm”, tha Vuçiç.