Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump lëshoi një akuzë shumë të ashpër të enjten, duke paralajmëruar se Amerika po kthehet në një “vend komunist” me rregulla shumë të rrepta censure, pasi një intervistë e tij me nusen e djalit, Lara, u hoq nga platforma Facebook.
Trump e dha intervistën për Larën të martën në kanalin kabllor, “Real America’s Voice”, por rrjeti më i madh nuk lejoi shpërndarjen e saj dhe për këtë arsye erdhi dhe reagimi i ish kreut të Shtëpisë së Bardhë.
Lara postoi një spot nga intervista në Facebook dhe menjëherë i erdhi një mesazh nga menaxherët e Facebook ku shkruhej “Po ju njoftojmë se kemi hequr përmbajtjen nga faqja e Lara Trump në Facebook që paraqet Presidentin Trump duke folur. Kjo vjen në linjë me bllokimin që i është bërë llogarive të Donald Trump në Facebook dhe Instagram. Nëse do të vijojnë postime të ngjashme, ato do të hiqen dhe do të ketë limitime në llogari”.
Ish-presidenti Trump e konsideroi këtë diçka tronditëse. “Ajo që po ndodh me këtë vend, nuk ishte menduar se do të ndodhte ndonjëherë”, u shpreh ai.