Nga Alexandros P. Mallias – Ish-ambasador i Greqisë në SHBA
1. Në ndryshim nga paraardhësi i vet, presidenti Joe Biden konformoi rolin e NATO-s si një shtyllë e marrëdhënieve transatlantike. Gjatë vizitës së tij në selinë e NATO-s në Bruksel, sekretari i Shtetit, Tony Blinken, theksoi rëndësinë e konsultimit me aleatët europianë kryesisht mbi Kinën dhe Rusinë. Në lojë është diçka e madhe.
A. Kina është një partner kyç tregtar, ekonomik dhe i transportit për shumë aleatë europianë. Ajo është po ashtu katalizatore në adresimin e krizës klimaterike dhe pandemisë globale. Si një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit, roli i Kinës është kritik në bashkëformësimin e rendit botëror. Rritja e saj e parashikueshme dhe ambiciet prej superfuqie e bëjnë atë tani një kundërshtar strategjik për SHBA. E megjithatë nuk është sekret se rreshtimi i europianëve nuk është as i vetvetishëm dhe as linear. Pavarësisht interesave individuale shtetërore të investuar në “bashkëpunimin me Kinën”, pozicioni i përbashkët i NATO-s reflektohet në deklarata të përbashkëta.
Interesat e Kinës në Paqësor dhe Azi si dhe vetëshfaqja e saj nën etiketimin fuqi e butë – soft power, janë projektuar nga kapacitete të rritura dhe të përshtatshme ushtarake, politike dhe ekonomike. Sot është e vështirë të heqësh një vijë mes bashkëpunimit, angazhimit dhe përmbajtjes. Ndërvarësia ekonomike, energjetike dhe financiare janë bazat e lidhjeve të Kinës me partnerët e vet. Sot është thuajse e pamundur për SHBA që e vetme të parandalojë ngjitjen në majë të Kinës.
Nuk është për t’u çuditur që sindroma e “Kurthit të Tuqiditit”, ideuar prej 2500 vjetësh, po bëhet tani një mjet i dobishëm i strategjisë. Megjithatë fuqia e butë e Amerikës(në të vërtetë fuqi inteligjente) është e jashtëzakonshme. Nëse presioni mbi aleatët hezitues bëhet opsion mbizotërues politik, rezultati do të jetë krijimi i një grupi aleatësh kyç pa vullnetin për të bashkëpunuar. Një pol i tretë i fuqishëm po merr formë: një marrëveshje politiko-ushtarake që përfshin Kinën, Rusinë dhe të tjerë.
B. Vendosmëria e Rusisë nën presidentin Vladimir Putin përfshin prestigj, pushtet politik dhe ambicie territoriale. Rusia është sot një partner i rëndësishëm ekonomik, tregtar dhe energjetik për shumë aleatë të NATO-s. Rusia po ashtu është bashkuar me shpejtësi me aleatë të NATO-s – SHBA dhe Franca përfshirë – në luftën kundër terrorizmit xhihadist. E megjithatë ajo mbetet një fuqi antagoniste në çështjet europiane. Federata Ruse, një anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurisë të OKB-së, po përqendrohet në teatrin europian të energjisë, në operacionet politike dhe ushtarake në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore që nga viti 2014.
Në të kundërt me frikën e ligjshme, perceptimet dhe sentimentet e forta mes aleatëve të NATO-s dhe BE-së, Rusia e konsideron veten një aksionere të trashëgimisë europiane. Invazioni rus i Krimesë dhe lëvizjet në veprim kundër sovranitetit të Ukrainës janë të papranueshme. Ato janë në thyerje të Kartës së OKB-së, Aktit Final të Helsinkit dhe Kartës së Parisit për dispozitat e një Europe të Re. Ato konstituojnë një goditje ndaj ligjit ndërkombëtar dhe ndaj vlerave dhe rendit europian. Rusia minon në mënyrë dramatike rolin e vet si përgjegjësve në sigurinë europiane dhe procesin e bashkëpunimit. Reagimet dhe sanksionet e SHBA, NATO dhe BE janë të justifikuara.
2. Rusia ndoqi precedentin e invazionit dhe pushtimit turk të Qipros. Aneksimi formal i territoreve të Qipros nga Turqia është një opsion politik parësor për Ankaranë. Presidenti autokratik turk, Recep Tayyip Erdogan u adresohet turqve qipriotë si subjekte të vetat, përfshirë çështjet fetare. Pandëshkueshmëria dhe imuniteti i Turqisë minon besueshmërinë e politikave të SHBA-NATO-BE në raport me Rusinë. Do të ishte gabim që Rusia, një fuqi e madhe të injorohej. Një opsion mund të ishte krijimi i një kuadri “angazhimi parimor për bashkëpunimin me kushte specifike bashkëngjitur, nëse rregullat do të respektohen nga Kremlini. Rusia duhet të ndryshojë kursin dhe të adoptojë politika në konformitet me Kartën e OKB-së dhe arkitekturën politike europiane dhe atë të sigurisë.
3. NATO: Ka një prerekuizitë bazike përpara angazhimit në procesin me Rusinë. Ka të bëjë ekskluzivisht me NATO-n. Turqia dhe Rusia lidhën marrëveshje të paprecedenta dhe konfidenciale në fushën e mbrojtjes në kundërshtim me interesat e aleatëve, që përfshijnë edhe ato për ndërtimin e një centrali bërthamor. Sistemi anti-ajror S-400 është një kërcënim real për NATO-n si të tërë. Besueshmëria e Aleancës rrjedh nga Traktati i Atlantikut të Veriut. Nenet kyç të tij, 4 dhe 5 janë minuar nga aktivitetet ilegale dhe agresive të Turqisë kundër Greqisë dhe me raste kundër aleatëve të tjerë të NATO-s. Përgjatë vitit 2020 Turqia sfidoi themelet e sigurisë dhe mbrojtjes kolektive. Më tej akoma, nenet 1 dhe 2, përkufizojnë qartë se krahas interesave, parimet dhe vlerat janë themelet e angazhimit tonë kolektiv:
Neni 1 përcakton se “palët ndërmarrin, siç përcaktohet në Kartën e OKB-së, zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje ndërkombëtare në të cilën ata mund të jenë përfshirë, me mjete paqësore dhe në një mënyrë të tillë që paqja, siguria dhe drejtësia ndërkombëtare të mos rrezikohen dhe të kufizohen në marrëdhëniet ndërkombëtare nga kërcënimi apo përdorimi i forcës në çdo mënyrë që nuk vjen në përputhje me qëllimet e Kartës së OKB-së”. Parimet e Kartës së NATO-s janë detyrime të Traktatit. Neni 1 përmban dy detyrime themelore për shtetet anëtare:
I pari: zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të tyre me mjete paqësore në mënyrë që paqja, siguria dhe drejtësia ndërkombëtare të mos vihen në rrezik.
I dyti: të kufizohen në marrëdhëniet e tyre nga kërcënimi apo përdorimi i forcës, në çdo mënyrë që nuk përputhet me Kartën e OKB-së. besueshmëria e NATO-s vihet në rrezik kur Turqia përdor forcën ushtarake apo kërcënon ta përdorë atë(casus belli) kundër të tjerëve – Greqisë përfshirë, një aleat i NATO-s.
Neni 2 detyron që “palët do të kontribuojnë drejt një zhvillimi të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërkombëtare miqësore dhe paqësore duke fuqizuar institucionet e tyre të lira…”. Fuqizimi i institucioneve të lira dhe demokratike është një obligim i Traktatit. Autokracia dhe abuzimi me të drejtat e njeriut nuk përputhen me Kartën e NATO-s dhe me përpjekjet tona për zhvillimin “e marrëdhënieve paqësore dhe miqësore ndërkombëtare”. NATO është e minuar sa kohë demokracia, liria e besimit fetar, shtypit dhe shprehjes dhe e drejta për të qenë të ndryshëm janë nën shënjestër në Turqi.
4. Nisja nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së: nuk është çudi që bota karakterizohet nga pushteti politik. Rendi botëror bipolar ka rënë; e megjithatë monopoli i superfuqisë është sfiduar. Ne jemi në kërkim të një rendi të ri botëror. Rikthimi paraprak i mulitaliteralizimit nga administrata Biden ka një emër: OKB. Është e domosdoshme për restaurimin e sistemit ndërkombëtar të sigurisë dhe riformësimin e rendit botëror. Është një sekret publik se mes anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurisë mungon sinergjia. Antagonizmi i tyre buron nga hierarkia e ndryshme e vlerave dhe interesave. Aderimi në parimet dhe qëllimet e mishëruara në Kartën e OKB-së ka pësuar erozion. Për sa kohë që Këshilli i Sigurimit është i paaftë të veprojë siç mandatohet nga Karta, do të ishte e pamundur të parandalohet dhe përballen kërcënimet kundër paqes, stabilitetit dhe sigurisë. Loja me shumën zero nuk mund të bëhet ekuilibri i preferuar i botës që dëshirojmë.
Sinergjia është kushti për restaurimin e rendit botëror. Në kërkim të pikave të përbashkëta, SHBA mund të dojë të testojë ujërat duket organizuar komunikim me dyer të mbyllura të pesë anëtarëve të përhershëm. Mund të rezultojë në përshfaqjen e “fuqisë së zgjuar” amerikane(pushtet + pushtet i butë + parime dhe vlera) teksa restaurohet rendi botëror. Përballja me pandeminë, ndryshimet klimaterike dhe uniteti në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar mund të jetë një pikë fillimi.
5. Një këshillë nga Tuqiditi: Paqja e ftohtë është hapi i fundit përpara një lufte të ftohtë. Në librin e tij “Historia e Luftës së Peloponezit”, Tuqiditi referon argumentin e përdorur nga ambasadorët e Athinës kur paralajmëronin spartanët kundër fillimit të luftës:
…Mbani parasysh ndikimin e madh të aksidentit në luftë përpara se ta nisni atë. Një luftë e gjatë teksa vazhdon në më të shumtën e rasteve përfundon në katastrofë…Është një gabim i zakonshëm ta nisësh një luftë në krahun e gabuar, të veprosh i pari dhe të presësh për shkatërrimin që pastaj të negociosh…”(Tuqiditi 1.78).
Ky mesazh vlen ende sot.
Burimi: Kathimerini
Përkthimi: ResPublic