Historiania Elena Kocaqi u shpreh për emisionin Shqip në Dritare TV se nëna e Skënderbeut nuk ishte serbe siç thotë historiani i njohur Oliver Jens Schmitt.
Dritan Hila: Kalojmë nga Lashtësia dhe vijmë në Mesjetë. Flasim për Skënderbeun. Schmitt thotë se nëna serbe e Skënderbeut erdhi për të marrë hak për të atin.
Elena Kocaqi: Unë nuk jam marrë shumë me këtë periudhë, por kam parë autorë bizantinë dhe e njoh historinë. Nëna e Skënderbeut nuk është serbe siç thonë këta, por është e ritit ortodoks të kishës ku flitej sllavisht. Shqiptarët ishin 90% ortodoksë dhe kjo është e tmerrshme që nuk kuptohet nga një historian në Shqipëri. Shqiptarët ortodoksë përdornin tri gjuhë në kishë. Shqiptarët e veriut, Kosova e sotme, pjesa e Maqedonisë, ajo veriore dhe jo jugore, përdornin gjuhën sllave të kishës. Pra ti ishe shqiptar, por ritet nuk bëheshin shqip. Dhe emrin e fëmijës kur e pagëzoje e vendosje sipas gjuhës sllave. E shoh te regjistri osman, e ka emrin Jovan, por mbiemrin Gjini, ose Bardhi. Pra është shqiptar po i është vendosur emri i pagëzimit.