Italia e mbylli me të gjitha fitore dhe në krye të Grupit A në këtë Europian. Skuadra e Roberto Mancinit mundi edhe Uellsin me rezultatin 1-0 të dielën në Romë, duke shkuar kështu në 30 ndeshje pa humbje dhe barazuar një rekord më shumë se 80 vjeçar. Goli që vendosi takimin u shënua nga Matteo Pessina në pjesën e parë. Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund edhe pse uellsianët luajtën me një lojtar më pak që nga minuta e 55-të kur Ampadu u ndëshkua me karton të kuq të drejtpërdrejtë për një ndërhyrje të rëndë.
Italia në këtë sfidë luajti me 8 ndryshime nga ndeshja e kaluar, si asnjëherë tjetër në finalet e një turneu, duke treguar se ka një stol cilësor. Pavarësisht disfatës Uellsi u kualifikua në fazën tjetër falë golavarazhit më të mirë.
Mancini: Nuk mund të shkonte më mirë se kaq
“Nuk mund të shkonte më mirë se kaq. Mund të kishim shënuar një gol më shumë. Djemtë u treguan shumë të zotët”.
Kështu u shpreh trajneri i Italisë Roberto Mancini pas fitores së tretë në grup në Euro 2020 ndaj Uellsit, 1-0, me gol të shënuar nga Pessina.
“Edhe nëse do të kisha në dorë për të ndryshuar diçka, nuk do ta bëja. Lojtarët e dinë se çfarë duhet të bëjnë. Verrati? Sot kemi treguar se të gjithë mund të jenë titullarë. Të gjithë bënë atë që duhet të bënin, madje edhe më shumë”, shtoi Mancini.
Me fitoren ndaj Uellsit, Italia e Mancinit arriti 30 ndeshje pa humbje, duke barazuar rekordin e Vittorio Pozzo mes viteve 1935-1939. “Jam ende mbrapa. Pozzo ka fituar shumë trofe të rëndësishëm. Ne ja kushtojmë këtë fitore të gjithë atyre që kanë vuajtur shumë në këtë një vit e gjysmë”, tha Mancini.
Sa i përket fazës së ardhshme, Mancini u shpreh: “Të gjithë ata që kalojnë grupet janë në garë për të fituar. Edhe ne kemi vështirësi. Të gjitha ndeshjet janë të vështira”.
Shaqiri i jep fitoren Zvicrës
Zvicra mundi Turqinë me rezultatin 3-1 në Baku në takimin e fundit të Grupit A. Helvetëve iu deshën vetëm 7 minuta që të gjenin golin e avantazhit. Seferoviç gëzoi të tijtë, pasi gjuajti saktë me të majtën. Helvetët shtuan presionin. Shaqiri çoi rezultatin në 2-0 me një gjuajtje shumë të bukur në të 26, që portieri Çakir e pati të pamundur që ta kapte.
Në pjesën e dytë, Turqia u shfaq më kërkuese. Goli erdhi me anë të Kahveçit në minutën e 62. Por gëzimi i turqve zgjati vetëm 6 minuta, pasi Shaqiri realizoi golin e tij të dytë dhe të tretin për helvetët.
Xherdan Shaqiri ishte lojtari që bëri diferencën në fushë me 2 gola të shënuar dhe mban gjallë shpresat e ekipit për të shkuar në fazën pasardhëse si kombëtarja e tretë më e mirë. Shaqiri ka shënuar në Kupën e Botës në 2014 dhe 2018 dhe në Euro 2016 dhe Euro 2020. Lojtarët e vetëm që kanë realizuar si ai janë Kristiano Ronaldo, Lukaku dhe Perisiç.
Skuadra e mbylli fazën e grupeve me 4 pikë, po aq sa edhe Uellsi, por pas me diferencë golash. Turqia zhgënjeu në këtë Evropian, duke mos fituar asnjë takim. Gjysmëhënat shënuan vetëm një herë në tri takime dhe pësuan 8 gola.
Zvicra duhet të presë fundin e fazës së grupeve për të parë nëse do të jetë mes vendeve të treta më të mira që do të vijojnë garën në këtë Europian.