Varianti indian “Delta”, do të përbëjë 90% të infeksioneve të reja të koronavirusit në Evropë deri në fund të gushtit, raporton Agjencia Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
“70% e infeksioneve të reja SARS-CoV-2 parashikohet të vijnë për shkak të këtij varianti deri në fillim të gushtit dhe 90% të infeksioneve deri në fund të gushtit”, tha Agjencia Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve.
Përveç kësaj, ka prova që ata që kanë marrë vetëm dozën e parë të vaksinës janë më pak të mbrojtur nga infeksioni i tipit Delta sesa nga variante të tjera.
“Fatkeqësisht, provat paraprake sugjerojnë që Delta mund të infektojë njerëz që kanë marrë vetëm një dozë të vaksinës. Ka shumë të ngjarë që ky variant të jetë gjerësisht i disponueshëm gjatë verës, veçanërisht tek të rinjtë që nuk janë përfshirë në vaksinim”, shprehet drejtori Andrea Amon.
Nga ana tjetër, siç tha ai, “lajmi i mirë është se dhënia e dy dozave të ndonjë prej vaksinave aktuale siguron mbrojtje të lartë kundër variantit Delta dhe pasojave të tij”.
Më herët OBSH ka deklaruar se varianti Delta i koronavirusit, i cili po shkakton rritje të rasteve në të gjithë botën, mund të ketë një shkallë rezistence ndaj vaksinave. Kreu i OBSH-së, Tedros Adhanom Gebrejesus, deklaroi se varianti është identifikuar në 92 vende dhe ka ngadalësuar trendin global të rënies së infektimeve pas javësh radhazi.
Përhapja e variantit Delta detyroi Britaninë e Madhe të shtyjë me katër javë rihapjen e plotë të ekonomisë.
Në Shtetet e Bashkuara, ku niveli i vaksinimit është relativisht i lartë, zyrtarët shëndetësorë kanë paralajmëruar se varianti Delta mund të bëhet lloji dominues i koronavirusit gjatë verës.