Mijëra të rinj të arsimuar në vendin tonë, kryesisht femra, kanë parë si zgjidhje punësimi për një rrogë të mirë sektorin call center.
Por pagat e larta për shkak të orëve të zgjatura të punës, u kanë shkaktuar jo vetëm stres, por edhe probleme shëndetësore me shikimin dhe dëgjimin.
Ilda Lamçja, e cila prej tre vitesh ka punuar në call centre të ndryshme në dy qytetet Vlorë dhe Tiranë, thotë se në këto kompani mungon ndihma mjekësore, pushimet sipas Kodit të Punës,e për më tepër, punonjësit kanë frikë të flasin.
“Ka pasur shumë raste kur të rinjtë kanë pasur probleme dhe gjëja e parë që është bërë është thirrur ambulanca. Nuk ka një mjek çdo call-centre, pavarësisht se thuhet se mjeku ekziston ne nuk e kemi parë asnjëherë. Përsa i përket orëve të punës, në një call-centre që unë kam qenë kemi punuar edhe 12 orë në ditë. Nuk kemi bërë asnjëherë pushime, sepse festonim vetëm pushimet italiane. Jo të gjithë kanë guximin të dalin dhe ti thonë”, thotë ajo për Ora News.
Sipas një studimi të kryer për herë të parë në kompanitë call-centre në qytetet Tiranë, Durrës, Vlorë dhe Shkodër, 31 përqind e punonjësve konfirmojnë se kanë probleme shëndetësore të shkaktuara nga procesi i punës.
“Pjesa më e madhe janë të punësuara gra, grupmosha më e madhe është 18-30 vjeç. Një pjesë e konsiderueshme rreth 31.5% tregojnë që kanë probleme shëndetësore gjatë punës”, thotë Alma Kordoni për Ora News.
Përfaqësues të Inspektoriatit Shtetëror të Punës pranojnë situatën e punës në sektorin call-center, duke deklaruar se duhet të zgjidhjet çështja e deklarimit të pagave reale, ku nuk përfshihen bonuset si dhe të merren masa për sëmundjet profesionale.
Irida Qosja: “Ka një konfuzion edhe brenda vetë sistemit të Inspektoriatit të Punës për ta vlerësuar këtë çështjen e bonuseve. Nëse është pjesë e pagës dhe kontributi i sigurimit do të derdhet mbi pagën reale plus bonuse apo është pjesë e shkëputur e kësaj page dhe nuk do të bëj pjesë në këtë kontribut”
Sipas të dhënave të studimit, 57.8% e të punësuarve në call center-a kanë arsim të mesëm, ndërsa 42.6% kanë mbaruar universitetin, masterin dhe doktoraturën.