Një 18-vjeçare me origjinë shqiptare nga Tuzi i Malit të Zi është vrarë nga partneri i saj. Mësohet se viktima quhet Shejla Bakija.
Kjo ngjarje e rëndë ka sjellë reagime të shumta në komunitetin e Tuzit. Ata kanë kërkuar kapjen e autorit të ngjarjes, i cili quhet Ilir Gjoka. Ky i fundit pasi i mori jetën partneres, vrau edhe gjyshen e saj dhe i plagosi babain.
“Emri im është Shejla Bakija, shqiptare nga Mali i zi. Dje isha vetëm 18 vjeçe kur më vranë. Vrasësi vrapon ende i lirë, ai më mori jetën në lule të rinisë. Ndaj më ndihmoni ta kapim atë përbindësh që erdhi në mes të shtëpisë duke më marrë jetën mua, gjyshes time dhe duke plagosur babanë tim”, shkruhet në një mesazh në rrjetet sociale.
Qendra për të Drejtat e grave ka paralajmëruar një protestë ditën e sotme para policisë së Tuzit. Ata kërkojnë fillimin e hetimeve për këtë rast tragjik. Mësohet se Bakija kishte raportuar më parë në polici dhunën ndaj saj, por nuk ishte marrë asnjë masë aq sa t’i shpëtonte jetën të resë.
Në rrjetet sociale është publikuar një poezi e trishtë në nder të 18-vjeçares e cila u shua në një moshë të re. Po ashtu kërkohet që të merren masa për këtë tragjedi pasi mund të përsëritet sërish në të ardhmen.