Aktualitet “Illyricum” shkatërron bandën shqiptare të kokainës

“Illyricum” shkatërron bandën shqiptare të kokainës

Një bandë, pjesa më e madhe e përbërë me shqiptarë, është shkatërruar nga autoritetet italiane. Sipas asaj që raportojnë mediat, grupi merrej me trafikun e kokainës dhe bazën e kishte në Aosta. Në pranga ra Elton Beleshi, 39 vjeç, i cili konsiderohet si personi i cili kishte kontaktet dhe gjente “pluhurin e bardhë”.

Kunati i tij, Leonard Vishaj, 33 vjeç, konsiderohet si korrieri i cili çdo muaj transportonte drogën nga Lombardia. Në pranga ranë edhe Angjelin Lleshi, 30 vjeç, Amarildo Perloshi, 34 vjeç dhe Diego Gustavo Corchia, 41 vjeç, i cili është i vetmi italian në këtë grup. Ai ishte aty prej një miqësie që kishte me një prej të arrestuarve shqiptarë.

Autoritetet po kryejnë kërkime për të kapur anëtarin e gjashtë të bandës, i cili është po ashtu shqiptar. Hetimet ndaj këtij grupi kanë nisur kohë më parë, kur Lleshi u gjet në një garazh me 30 gramë kokainë, të ndara në disa doza. Ai u la i lirë, por autoritetet nuk e lanë punën me kaq. Ndërkohë Vishaj është dokumentuar të fshehë një sasi kokainë në motorin e makinës. Policia e ndoqi me GPS dhe më pas e arrestoi në flagrancë.

Shqiptarët ishin munduar që ta shmangnin sa më shumë aktivitetin nga telefoni. Është zbuluar se si një prej shpërndarësve merrte kërkesën nga klientët. Ai vinte në dukje nevojën për pije që të kalonin sa më mirë darkën dhe në herë të tjera pyeste: “doni sanduiçë McDonald”. Sipas autoriteteve kjo bandë nuk trafikonte drogë tek të rinjtë, por baza e klientëve të tyre ishte nga mosha 25 vjeç deri në 30 vjeç.

Komisari që ndoqi hetimet tha se ky grup tregon që kiminaliteti shqiptar është i aftë të mbështetet në struktura organizative më të sofistikuara. Operacioni për kapjen e shqiptarëve u quajt Illyricum, emri romak për të identifikuar gadishullin e Ballkanit në antikitet.