Kuriozitete Tre shkencëtarë e klimës marrin Çmimin Nobel në Fizikë

Tre shkencëtarë e klimës marrin Çmimin Nobel në Fizikë

Çmimi Nobel në Fizikë për vitin 2021 iu akordua tre shkencëtarëve, Syukuro Manabe, Klaus Hasselmann dhe Giorgio Parisi “për kontribute novatore në kuptimin e sistemeve komplekse fizike”, njoftoi Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave.

Japonezi Manabe dhe gjermani Hasselmann e fituan bashkërisht gjysmën e çmimit, “për modelimin fizik të klimës së Tokës, si dhe parashikimin e besueshëm të ngrohjes globale”. Ndërsa italiani Giorgio Parisi fitoi gjysmën tjetër, pasi zbuloi modele të fshehta në materiale të çrregullta e komplekse.

Hasselman krijoi një model që bën bashkë motin dhe klimën. Metodat e tij janë përdorur për të vërtetuar se rritja e temperaturave në atmosferë ka ardhur për shkak të emetimit të dioksidit të karbonit.

Ndërsa Manabe vërtetoi sesi rritja e nivelit të dioksidit të karbonit në atmosferë solli edhe rritjen e temperaturës në sipërfaqe të Tokës. Puna e tij shërbeu si bazë për zhvillimin e modeleve të klimës që janë në përdorim.