Kryesore Zyrtare: Ardi Veliu largohet si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë

Zyrtare: Ardi Veliu largohet si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë

“Me konsideratën më të lartë për ndershmërinë, profesionalizmin dhe përkushtimin e posaçëm të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, dhe me bindjen se ai ka akoma shumë për t’i dhënë shtetit në detyra të tjera, e falenderoj nga zemra për kontributin e vyer”. Me këto fjalë kryeministri Rama pranon dhe njofton dorëheqjen e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu.

Në letrën e paraqitur kryeministrit Edi Rama, Veliu e argumenton dorëheqjen e tij për t’iu përkushtuar më shumë familjes dhe fëmijëve.

Ardi Veliu u emërua në këtë detyrë në Shkurt të vitit 2018, 1 muaj pas largimit të Haki Çakos, me propozim te ministrit të Brendshëm të asaj kohe, Fatmir Xhafaj.

Me largimin nga detyra, Ardi Veliu nuk do të jetë më as pjesë e policisë. Sipas ligjit për policinë, pas përfundimit të afatit të qëndrimit në detyre, drejtori i policisë nuk rikthehet më në strukturat e policisë, por mund të kryejë funksione të tjera këshillimore ose pedagogjike.

I njëjti ligj përcakton se drejtori i ri i policisë duhet të ketë gradën “Drejtues i lartë” ose “Drejtues i parë” apo të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë.

Ndërsa kandidatët potencialë që mund t’i propozohen kryeministrit Rama janë drejtori aktual i antiterrorit Gledis Nano i certifikuar nga partnerët ndërkombëtarë, kreu i Forcës së Ligjit Edmond Rizai, drejtori aktual i SHCBA, Muhamed Rrumbullaku si dhe Ardian Çipa bashkë me Ervin Hoxhën.