Një raportim i fundit i CNN ka dhënë disa detaje rreth një bashkëpunimi të vështirë për t’u imagjinuar mes disa qytetarëve hebrenj dhe arabë në Afganistan.
Një Organizatë jo-fitimprurëse izraelite, zyrtarë nga Emiratet e Bashkuara dhe një financier hebre – një miks njerëzish i pazakontë – punuan së bashku për të realizuar një mision shpëtimi që ndihmoi 125 afganë që kërkonin t’i arratiseshin regjimit taleban.
Për OJF-në izraelite, IsraAid, ky ishte evakuimi i dytë nga Afganistani në një muaj, por ata kurrë më parë nuk kishin marrë përsipër një aksion shpëtimi më ambicioz se ky.
Për ta përfunduar këtë mision, atyre i është dashur të negociojnë edhe me grupe të ndryshme talebane, por kjo ishte vetëm pjesë e betejës.
Udhëtimi i tyre i rrezikshëm u bë edhe më i rrezikshëm si pasojë e shtetësisë së shpëtimtarëve.
Qëndrimi në shtëpi strehimi sekrete përgjatë rrugët dhe realizimi i disa pasaportave të reja të mundësuara nga diplomatë afganë jashtë vendit, ishin vetëm disa nga pengesat.
Grupi i 125 afganëve, ndër ta oficere policie gra, gjyqtarë, aktivistë madje edhe çiklistë profesionistë dhe familjet e tyre, po mundoheshin të arratiseshin në çdo lloj mënyra nga toka ose ajri. Atyre u duhej një shtet fqinj që të kalonin në transit ku grupi duhet të rrinte para se të zhvendoseshin përfundimisht.
Grupi i parë përfundoi në Emiratet e Bashkuara, diçka që nuk do të ishte e mundur as të mendohej para disa vitesh. Një zëdhënës i ministrisë së jashtme të Emirateve i priti 125 afganët dhe e festoi mbërritjen e tyre me anë të një statusi në Twitter që u përqafua nga njerëz në të gjithë botën.
Një tjetër pikë kyçe e misionit të shpëtimit ishte edhe milioneri hebre, Sylvan Adams dhe shumë qytetarë arabë dhe hebrenj gjatë rrugës të cilët ofruan shtëpitë e tyre apo ndihmuan me informacione që e ndihmuan grupin të kalonte nga njëra pikë në tjetrën, deri në zhvendosjen e tyre përfundimtare në Emiratet e Bashkuara.