Detaje të reja janë mësuar rreth arrestimeve të policëve në Tiranë. Në dosjen e SPAK tregohen shkeljet e disa policëve të Komisariatit Numër 1, të cilët shfrytëzonin detyrën për qëllime private.
Polici Jon Burri, Durim Murja dhe Matilda Hamollari janë denoncuar nga një vajzë së cilës i janë përdorur të dhënat, pasi një prej efektivëve e kishte pëlqyer në një lavazh dhe kërkonte informacion për të.
“Numri i shtetasit Durim Murja është vënë në përgjim me vendim gjykate. Në datën 09.08.2021 ora 17:00 këtë shtetas e telefonon kolegu i tij Jon Burri i cili i kërkon t’i japë të dhënat e plota për një automjet me targa AB XXX CP dhe pronaren e tij pasi e kishte parë në një lavazh dhe e kishte pëlqyer si femër.
Fillimisht Durim Murrja stepet se për të bërë këtë veprim duhet krijuar një numër unik në sallën operative por më pas nëpërmjet koleges Matilda Hamollari, ku kjo e fundit telefonon në sallën operative të Komisariatit të Policisë Nr.1 nxjerrin të dhënat e plota të automjetit me targa AB XXX CP si emri i pronares A.C. dhe ja transmetojnë shtetasit Jon Burri.
Është pyetur shtetësja A.C., e cila shprehet se nuk ka autorizuar askënd të hyjë në të dhënat e saj personale, ndihet e shqetësuar që ky fakt ka ndodhur dhe kërkon që të zbulohet e vërteta. Ngjarjen e konfirmojnë me thëniet e tyre shtetasit Matilda Hamollari dhe Jon Burri”, është kjo një pjesë e dosjes.