Deri më 18 Tetor, që ishte edhe data e nisjes së vitit të ri akademik, vetëm 40% e studentëve janë pro vaksinës. Është ky rezultati i sondazhit të kryer nga një grup studentësh. Në emisionin “Publikisht” në RTSH, Gevio Tabaku përfaqësues i bordit të studentëve prezantoi rezultatet e sondazhit, i cili është kryer me google forms.
Ai tha se janë kryer tre pyetësorë në datat 26 gusht ku kanë marrë pjesë 500 studentë, 26 shtator ku kanë marrë pjesë 2200 studentë dhe 18 tetor ku janë pyetur rreth 1000 studentë.
Pyetjes nëse duhet ta bëjmë vaksinën 40% prej tyre i janë përgjigjur me po, ndërsa pjesa tjetër 60%, ka thënë jo.
Ndërkohë 65% e studentëve mendojnë se vaksina ka efekte anësore.
Nga ana tjetër lidhur me menaxhimin e situatës nga Ministria e Shëndetësisë, 92 e të anketuarve janë skeptikë ndaj saj, ndërsa vetëm 8% kanë besim në efikasitetin e kësaj strategjie.
Vetë Gevio, student në nivelin master, shprehet se nuk është kundër vaksinës, por nënvizon se në vendin tonë ka munguar fushata e promocionit të saj për të bindur të rinjtë të marrin vaksinën me vullnetin e tyre.
“Studentëve nuk duhet t’u privohet arsimi. Nuk kemi asnjë alternativë për studentët që nuk janë vaksinuar. Nuk jam vaksinuar. Unë besoj te vaksina dhe nuk e kam problemin aty. Problemin e kam te detyrimi”, tha ai.