Endrison Murati ka vetëm 11 ditë që ka ardhur në jetë por ka kaluar vështirësi më shumë se çdokush prej nesh. Endrisoni lindi me keqformim të palcës kurrizore dhe me një komplikacion të rrallë në kurriz. Mëngjesin e së enjtes, vetëm 11 ditësh, foshnja iu nënshtrua një ndërhyrje të vështirë. Pas 3 orësh operacion, mjekët ia dolën që të kthenin në normalitet trupin e foshnjës.
Mjeku neurokirug Artur Xhumari, për Report Tv tregon dhe vështirësitë që hasën për shkak të komplikacioneve të rënda. Sfida më e madhe ishte fillimisht që foshnja të mund t’i mbijetonte një operacioni të tillë, dhe më pas të mund të lëvizte trupin e saj.
“Nëse nuk operohej, ishte rreziku imediat që kjo qeskë të çahej dhe si pasojë çarja do sillte sëmundjen e rrallë të meningjitit që për një fëmijë është një sëmundje shumë e rrezikshme dhe nëse nuk hiqej dhe ajo kocka e vogël, me kalimin e moshës, mundej që funksioni i palcës dhe i këmbës të dëmtohej edhe më shumë. Ndërsa tani është mirë, ushqehet, qan, bën atë që duhet të bëjë”, tha mjeku neurokirurg, Artur Xhumari.
Erjon dhe Fatane Murati janë prindërit e vogëlushit. Ata tregojnë se komplikacionin e foshnjës e mësuan në muajin e fundit të shtatzënisë, por shprehen të lumtur që Endrisoni mundi t’ia dilte. “Në muajin e fundit të shtatzënisë e morëm vesh. Nuk e hoqëm fëmijën pasi doktorët na dhanë shpresë. Jemi shumë të lumtur që ia doli”.
Historia e Endrisonit jep një mesazh të bukur për jetën, dhe për punën madhështore të mjekëve, që shpesh gjykohet dhe pa të drejtë.