Drejtori i Programit Botëror të Ushqimit (PBU) të Kombeve të Bashkuara parashtroi një plan për të shpenzuar 6.6 miliardë dollarë për të luftuar urinë në botë, një përgjigje kjo e drejtpërdrejtë për njeriun më të pasur në planet, Elon Musk.
David Beasley postoi të hënën një përmbledhje ku përshkruhej se si OKB-ja do të shpërndante vakte dhe kupona me vlerë 6.6 miliardë dollarë për të ushqyer më shumë se 40 milionë njerëz në 43 vende që janë në prag të urisë duke shmangur një “katastrofë” të afërt.
Beasley propozon të shpenzohen 3.5 miliardë dollarë për të blerë dhe shpërndarë ushqim direkt, 2 miliardë dollarë për para dhe kupona ushqimore në vendet ku mund të funksionojnë tregjet dhe shpenzimin e 700 milionë dollarëve të tjerë për të menaxhuar programet e reja ushqimore të përshtatura sipas nevojave të vendeve. 400 milionë dollarë të tjera do të përdoreshin për menaxhimin, administrimin dhe koordinimin e zinxhirit të furnizimit.
Në fillim të nëntorit, Elon Musk sfidoi pretendimin e Beasleyt, cili tha se vetëm një përqindje e vogël e pasurisë së Musk mund të ndihmonte në zgjidhjen e problemit të urisë në botë.
Ai tha se është i gatshëm të dhurojë një pjesë të pasurisë së tij për t’i dhënë fund krizës së urisë në botë, mjafton që Organizata e Kombeve të Bashkuara t’i vërtetojë se si 6 miliardë dollarë do t’i japin fund krizës.