Aktualitet Balluku inspekton punimet në aksin Orikum-Dukat: Brenda 3 vitesh përfundojmë gjerdanin infrastrukturor...

Balluku inspekton punimet në aksin Orikum-Dukat: Brenda 3 vitesh përfundojmë gjerdanin infrastrukturor të Jugut

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga Drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi kanë inspektuar punimet për ndërtimin e aksit rrugor Orikum-Dukat.

Sipas projektit, ky aks rrugor do të jetë i kategorisë C. Ai do t’u japë zgjidhje problematikave që lidhen me sigurinë rrugore dhe rrëshqitjet, të cilat prej vitesh në aksin aktual kanë qenë një shqetësim për përdoruesit e rrugës.

Gjatë inspektimit drejtori i ARRSH bëri të ditur detaje lidhur me projektin e kësaj vepre. Sipas tij është duke u punuar me disa grupe, për të bërë të mundur përfundimin brenda afateve të parashikuara. “Kemi të bëjmë me një vepër komplekse, pasi nga rruga ekzistuese përdorim vetëm segmentin fushor. Duke qenë se zona e Dukatit është një zonë me gjeologji jo të favorshme dhe ka pasur goxha rrëshqitje në vitet e shkuara kemi zbritur poshtë në luginë dhe pjesa më e madhe e trupit të rrugës zhvillohet në luginën e lumit. Kemi 4 vepra arti nga të cilat 3 kanë filluar, që janë tre urat dhe po punohet me ritme të kënaqshme. Kemi të bëjmë me vepra të mëdha, me mure mbajtëse dhe pritëse. Është hapur thuajse e gjithë traseja në të gjithë gjatësinë e rrugës. Po punohet disa grupe në mënyrë të tillë që të ecim sa më shpejt dhe të mos kemi vonesa”, u shpreh Berberi.

Aksi Orikum-Dukat është një tjetër segment i rëndësishëm, i cili lidh bypass-in e Vlorës me tunelin e Llogarasë dhe është pjesë e paketës për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, e cila do të bëjë të mundur lehtësim e qarkullimit drejt bregdetit të jugut duke nxitur zhvillimin e turizmit.

“Janë tre vepra të cilat, në bazë të studimeve që ne kemi bërë rezultojnë të ishin tre copëzat që duhej të bashkoheshin në këtë pjesë të daljes së Vlorës, ose më saktë nga hyrja e Vlorës, deri në daljes e saj, për t’i dhënë një infrastrukturë moderne, sipas të gjitha kushteve dhe parametrave teknikë dhe të sigurisë rrugore, të gjithë vizitorëve, padyshim banorëve fillimisht, por edhe vizitorëve dhe turistëve të zonës së jugut”, u shpreh Balluku.

Me përfundimin e plotë të punimeve për bypass-in e Vlorës, ndërtimin e aksit Orikum-Dukat dhe tunelit të Llogarasë, plotësohet i gjithë gjerdani infrastrukturor, i cili nis nga bypass-i i Fierit dhe përfundon në dalje të tunelit të Llogarasë, për t’u lidhur më tej me segmentin rrugor Palasë-Dhërmi, për të ndërtimin e të cilit punimet kanë nisur disa muaj më parë.

“Shpresojmë që i gjithë ky gjerdan infrastrukturor i cili, fillon me bypassin e Fierit dhe përfundon në krahun tjetër, pra në dalje të tunelit të Llogarasë në Palasë dhe më pas me rrugën Palasë – Dhërmi, që është një tjetër kantier ku punohet, në përfundim të 3 viteve të ketë përfunduar dhe të kemi kështu një gjerdan infrastrukturor i cili do të ndryshojë konceptin e udhëtimit në jugun e Shqipërisë”, deklaroi Balluku.

Aktualisht punimet në aksin Orikum – Dukat kanë arritur në 24% të volumit të tyre ndërsa po punohet paralelisht edhe për ndërtimin e veprave të artit. I gjithë segmenti ka një gjatësi prej 14.7 kilometra, ndërsa në kontratë është parashikuar edhe mirëmbajtja e aksit për 10 vitet e ardhshme pas vendosjes së në funksion.

Në projektin e këtij aksi janë parashikuar edhe ndërtimi i mbrojtjes lumore të lumit Dukat, përmes ngritjes së mureve mbajtës dhe pritës.