Stefano Pioli te Milani të paktën deri në vitin 2023, me opsionin për ta zgjatur marrëveshjen edhe për një sezon tjetër. Palët kishin arritur një marrëveshje javët e fundit dhe këtë mëngjes erdhi edhe zyrtarizimi. Trajneri kuqezi nënshkroi kontratën e re në prani të të gjithë drejtuesve të Milanit. Pioli do të marrë 3.5 milionë euro në sezon, që me bonuset mund të shkojnë deri në 4 milionë.
Kanë kaluar më pak se dy vjet nga humbja turpëruese me pesë gola të pësuar në Bergamo. Pioli, në atë kohë, ishte thuajse i larguar, me hijen e Ragnick që e përndiqte kudo.
Tashmë skuadra kuqezi është rikthyer në Champions League dhe konkurron në nivele të larta në Serinë A, ku sezonin e kaluar mori edhe kryesimin në një moment.
Gjithashtu, po rriten lojtarë të rinj si Leao, Calabria dhe Saelemaekers, ndërkohë që puna e trajnerit ka bërë që të mos ndihen largimet e lojtarëve të rëndësishëm si Donnarumma apo Calhanoglu.
Rritje në lojë, ndërgjegjësim për vlerat e skuadrës dhe rezultate pozitive, që e bindën Milanin për ta shpërblyer Piolin me kontratë të re, duke i ofruar pothuajse dyfishin e pagës.