Me kontratën në skadencë në qershor, sulmuesi ende nuk e ka pranuar joshjen e PSG që i propozon një rinovim përrallash. Dhe në një revistë deklaroi: “Eksperienca e jetës vlen më shumë se paratë”
Kylian Mbappé ndjek të njëjtën strategji si presidenti Emmanuel Macron që jo rastësisht e telefonon gjithnjë. Kreu i shtetit francez edhe në një intervistë televizive nuk u zhbalancua për një rikandidim të mundshëm për Elizenë për zgjedhjet e prillit. Jo ndryshe edhe ylli i PSG që për momentin nuk shprehet për një rinovim të mundshëm. Ashtu si Macron, edhe Mbappé lëshon shenja dhe jo për vazhdueshmëri siç bën presidenti francez.
Me kontratën në skadencë në qershor, sulmuesi ende nuk e ka pranuar joshjen e PSG që i propozon një rinovim përrallash. Dhe në një revistë deklaroi: “Eksperienca e jetës vlen më shumë se paratë”.
Viti 2021 me dritë-hije
Në moshën 23-vjeçare, Kylian Mbappé ka arritur tashmë rezultate që shumë prej kolegëve të tij më me përvojë vetëm i ëndërrojnë. Megjithatë, viti kalendarik që do të përfundojë brenda pak ditësh la edhe një shije të hidhur për sulmuesin francez.
Mesatarja e tij e shënimit mbetet e një kampioni: 49 gola në total midis kampionateve dhe kupave të luajtura me PSG dhe kombëtaren franceze. Një shifër që konfirmon se Mbappé është pjesë e një rrethi shumë të vogël futbollistësh elitarë, të gatshëm për të marrë në dorë stafetën e dy legjenda si Messi dhe Ronaldo.
Megjithatë, nëse 2018-ta ishte viti i “shenjtërimit” të tij, kur udhëhoqi Monaco drejt fitores në kampionat dhe Francën në krye të botës, 2021-shi pa që ylli i PSG të humbiste disa pikë nga ky këndvështrim.
Ligue 1 shkoi për rivalët e Lille, protagonistë të një sezoni të paharrueshëm që ndërpreu dominimin parizien në ligën franceze. Por mbi të gjitha, Mbappé ishte zhgënjimi më i madh i “Euro 2020”. Katër ndeshje gjithsej, asnjë gol dhe mbi të gjitha gabimi vendimtar nga pika e bardhë kundër Zvicrës.
Pritja e Sommer i kushtoi eliminimin Francës, e konsideruar si favorite e madhe në fillim të kompeticionit, por që u largua shumë përpara parashikimeve. Vera e Mbappe nuk ishte më e mira nga pikëpamja personale.
Drejt largimit?
Marrëdhëniet me drejtuesit e PSG kanë qenë mjaft të acaruara prej disa kohësh.
Arsyeja? Vullneti për të ndryshuar klub. Sidomos kur perspektiva është të shkojë dhe të luajë për Real Madridin. Përplasja mes “Los Blancos” dhe klubit parizien, megjithatë përfundoi me fitoren e këtij të fundit dhe qëndrimin e sulmuesit në oborrin e Pochettino.
Një marrëdhënie që tashmë duket e konsumuar dhe e destinuar të përfundojë në mënyrën më të keqe, por që të paktën nga pikëpamja e profesionalizmit dhe e performancës duket se nuk ka ndikuar në mesataren e golave të sulmuesit.
2022-shi duhet të përfaqësojë vitin vendimtar, që Mbappé të shkundë pluhurin dhe të kthehet në një nga yjet më të ndritshëm në skenën e futbollit botëror.