Presidenti Ilir Meta i është drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe kërkon nisjen e procedimit disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Fiona Papajorgji.
Kjo lëvizje e presidentit ka ardhur pasi është shqyrtuar e gjithë dosja që i është përcjellë nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me vendimin për zgjedhjet e 30 Qershorit.
Meta thotë se ndaj gjyqtares Papajorgji, e cila ka mbajtur edhe rolin e relatores së çështjes janë konstatuar shkelje të rënda profesionale dhe etike.
Presidenti nënvizon se nuk ka pasur hedhje shorti për zgjedhjen e relatores së çështjes, si dhe janë kryer shkelje tek zbatimi i procedurave për marrjen në shqyrtim të çështjes.
Kreu i shtetit thotë se nuk është konsideruar as Opinioni i Venecias.
Po ashtu, Meta thotë se dyshimi i Presidencës është që në këtë veprimtari të jenë të përfshirë edhe disa anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese.
Në dhjetor të 2021, Gjykata Kushtetuese rrëzoi kërkesën për t’i shpallur zgjedhjet e kaluara lokale si antikushtetuese, pasi kërkesa e Shoqatës së Bashkive nuk është legjitime dhe se nuk ka të drejtë të vërë në lëvizje këtë gjykatë.
“Pas shqyrtimit të të gjithë dosjes gjyqësore që na është përcjellë nga Gjykata Kushtetuese, rezultojnë disa të dhëna e fakte që bëjnë të detyrueshme t’ju përcjellim këtë informacion të shoqëruar me prova bindëse të cilat konfirmojnë se, ka të dhëna mëse të mjaftueshme se një gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese dhe konkretisht zonja Fiona Papajorgji dhe relatore e kësaj çështje ka konsumuar shkelje të rënda profesionale dhe etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e gjyqtarit gjatë ushtrimit të mandatit. Përsa rezulton në dosje ekziston dyshimi ynë se në këtë veprimtari në kundërshtim me kërkesat e ligjit nr. 8577/2000, mund të jenë përfshirë edhe disa anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Këto të dhëna sipas parashikimeve të nenit 128 të Kushtetutës dhe nenin 10, 10/a të ligjit nr. 8577/2000, kërkojnë domodosmërisht që nga ana juaj të merren masa për fillimin menjëherë të procedimit disiplinor dhe të merren masa emergjente dhe të themelta në lidhje me këtë procedim disiplinor sipas ligjit”, thuhet në letrën e Metës.