Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pretendimet e Presidentit për përjashtimin e gjyqtarëve nën argumentin se nuk garantojnë një proces të paanshëm.
Sipas gjyqtarëve, asnjë nga gjyqtarët nuk është në kushtet e ndalimit.
Meta kishte kërkuar përjashtimin e të gjithë gjyqtarëve nën argumentin se nuk garantojnë paanshmërinë dhe Gjykata Kushtetuese u tërhoq për shqyrtimin e kësaj kërkese.
Çfarë pati kërkuar Meta?
Presidenti Ilir Meta u kërkoi të gjithë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese që të shpallnin papajtueshmërinë dhe konfliktin e interesit në gjykimin e çështjes së shkarkimit të tij.
Në kërkesën e dorëzuar në Kushtetuese, Meta thotë se gjashtë nga shtatë anëtarët që ka aktualisht kjo gjykatë janë në konflikt interesi, pasi janë zgjedhur përkatësisht nga Presidenti dhe Kuvendi, dy organet që janë përfshirë në këtë konflikt gjyqësor.
Ndërkohë, për Vitore Tushën, njëkohësisht kryetare e Gjykatës Kushtetuse, Presidenca thekson se asaj i ka përfunduar mandati prej pesë vitesh tashmë.
Më pas, duke u ndalur në emra konkretë të anëtarëve, Presidenca thekson përplasjen me Fiona Papajorgjin, të cilën e ka paditur në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit për shkelje të rënda të ligjit të funksionimit të Gjykatës Kushtetuese.
Në lidhje me anëtarin Përparim Kalo, Presidenca kujton se atij i përfundon mandati dhe Kuvendi ka hapur thirrjen për plotësimin e kësaj vakance. Për të kundërshtuar pjesëmarrjen e Kalos në këtë gjykim, Presidenca citon në kërkesën e saj një shkrim të publikuar nga anëtari i Gjykatës Kushtetuese në media. Në këtë shkrim, Kalo thotë se Shqipëria është i vetmi vend ku zëvendësuesve të anëtarëve që largohen para përfundimit të mandatit nga Gjykata Kushtetuese nuk u jepet mandat i plotë 9-vjeçar, por vetëm pjesa e mbetur e mandatit të lënë përgjysmë. Ai kërkon mes rreshtave që Kuvendi të rishikojë mundësinë e ndryshimit të ligjit.
Për Presidencën, si i zgjedhur nga Kuvendi ky shkrim i Përparim Kalos është ftesë që atij dhe anëtarit tjetër, Altin Binaj t’u zgjatet mandati në Kushtetuese si anëtar me mandat të plotë, çka bie në konflikt interesi, sipas këndvështrimit të Presidencës.
Presidenca thotë se është shkelur afati 3-mujor kushtetues për marrjen në shqyrtim prej saj të kërkesës për shkarkimin e tij dhe akuzon Gjykatën se përmes një vendimi rregullator të vitit të kaluar, ku ka shpallur periudhën e pushimit nga data 1 gusht deri më 10 shtator ka përvetësuar kompetencat e Kuvendit, duke mos e llogaritur këtë periudhë te afatet për shqyrtimin e çështjeve.
Presidenca e klasifikon këtë si një ndër shkeljet më të rënda të Gjykatës Kushtetuese, që dëmton besueshmërinë e trupës së saj përballë një çështjeje me kaq rëndësi sa shkarkimi i Presidentit të Republikës.