Bota Sa rrezikon Tajvani të pushtohet nga Kina pas sulmit rus në Ukrainë?

Sa rrezikon Tajvani të pushtohet nga Kina pas sulmit rus në Ukrainë?

Pas nisjes së pushtimit rus në Ukrainë, sytë e botës janë drejt një konflikti të mundshëm mes Tajvanit dhe Kinës.

Sa probabilitet ka një sulm i tillë dhe cilat do të ishin pasojat?

Këtë të enjte, ministri i jashtëm tajvanez e quajti sulmin e Rusisë në Ukrainë një shkelje të Konventës së OKB, duke shprehur shqetësimin se ishulli i vogël aziatik mund të ketë një fat të ngjashëm.

Në të njëjtën kohë, Kina po refuzon bindshëm ta quaj lëvizjen e sotshme të Rusisë kundër Ukrainës, një ‘sulm pushtues’, duke i bërë thirrje qytetarëve kinez në Ukrainë që të qëndrojnë në shtëpi.

Sipas raportimit të New York Times, shumë njerëz nga brenda dhe jashtë ishullit po nxjerrin në pah paralelet mes situatës në Ukrainë dhe asaj në Tajvan.

Ku ngjasojnë Tajvani dhe Ukraina

Pavarësisht faktit se ky krahasim nuk është ideal, Tajvani – njësoj si Ukraina – ka jetuar gjatë nën hijen e një superfuqie si Kina e cila ka refuzuar gjithnjë ta njohë ishullin si një shtet i pavarur.

Ditën e mërkurë, presidenti tajvanez Tsai Ing-wen, urdhëroi forcat ushtarake vendase si dhe personelin e sigurisë që të shtonin sistemet mbrojtëse dhe survejuese, si pjesë e përpjekjeve për të ruajtur qetësinë publike.

Në të njëjtën kohë, Pekinin po nis rregullisht avionë ushtarakë drejt Tajvanit, edhe pse ende nuk është parë ndonjë shenjë e një pushtimi të mundshëm.

Të dy liderët edhe ai kinez, Xi Jinping edhe ai rus, Vladimir Putin, i kanë mëshuar prej kohësh të njëjtës propagandë, që vë në lojë nostalgjinë e një të shkuare imperialiste me anë të së cilës ata po justifikojnë edhe pretendimet e tyre territoriale të viteve të fundit.

Presidenti kinez i ka ushtruar gjithnjë presion Tajvanit që të mos kërkojë pavarësinë nga Kina, në të njëjtën mënyrë që Putin ka paralajmëruar vazhdimisht Ukrainën që të mos bëhet pjesë e aleancave me perëndimin siç është anëtarësimi në NATO.

Ku ndahen Tajvani dhe Ukraina

Sidoqoftë, mes Ukrainës dhe Tajvanit ka një diferencë të rëndësishme.

Së pari, edhe pse shumica e shteteve nuk e njohin Tajvanin si shtet të pavarur, ishulli është një partner tregtarë kyç i Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe një pikë strategjike në zinxhirin e furnizimit global.

Ky ishull dominon fuqishëm industrinë e makinerive elektrike si vendi kryesor në prodhomini e mikroçipeve që përdoren në teknologjitë më të avancuara civile dhe ushtarake.

Gjithashtu, pozicioni strategjik i Tajvanit, e ka kthyer atë në një zonë të rëndësishme për bazat ushtarake amerikane në Oqeanin Paqësor.

Dhe mbi të gjitha, në një kohë kur administrata Biden është shprehur e bindur se në rast konflikti, SHBA dhe NATO nuk do të dërgojnë trupa për të mbrojtur ukrainasit, në rastin e Tajvanit çështja ndryshon.

Politika e njohur si ‘ambiguiteti strategjik’ ka shërbyer prej kohësh si shtyllë parandaluese e SHBA ndaj Kinës.

Shqetësimi i shumë analistëve në Tajvan ama, është se një Perëndim i shpenguar dhe një kundërpërgjigje e dobët ndaj pushtimi rus në Ukrainë, mund të mobilizojë Partinë Komuniste Kineze që të shtojë trysninë mbi ishullin tajvanez duke përdorur manovra që qeveria e Tajvanit i ka quajtur ‘taktikat e zonës gri’ – që kanë të bëjnë me faktin se Kina nuk ka reshtur kurrë së pretenduari se ishulli i vetëqeverisur i Tajvanit është territor kinez.

Qëndrimi i Pekinit ndaj konfliktit në Ukrainë

Deri tani, qëndrimi i Kinës ndaj konfliktit në Ukrainë ka qenë i balancuar. Pekini ka bërë thirrje për respektim të integritetit territorial dhe sovran të një shteti, por në të njëjtën kohë qeveria kineze është simpatizuar me hatërmbetjet e presidentit Putin.

Sidoqoftë, Kina e ka bërë të qartë se e sheh Tajvanin si një rast thellësisht të ndryshëm nga Ukraina.

“Tajvani është një pjesë e patjetërsueshme e territorit kinez dhe çështjet e Tajvanit janë çështje të politikave të brendshme të Kinës” tha Ma Xiaoguang, zëdhënës i zyrës së marrëdhënieve me Tajvanin në Kinë këtë të mërkurë.