Politika Gjermania dhe Franca: Rusia do të paguajë me çmim të hidhur

Gjermania dhe Franca: Rusia do të paguajë me çmim të hidhur

Pas pushtimit të Ukrainës nga ana e Rusisë, NATO ka vendosur të dërgojë trupa në krahun lindor të Aleancës së Atlantikut Verior. “Në ditët në vijim do të vijnë më shumë ushtarë”, u tha gazetarëve në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm, Jens Stoltenberg.  Ai tha se NATO ka aktivizuar planet e mbrojtjes për të lejuar lëvizje më të shpejta të trupave, por shtoi se NATO-ja nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë.

Pushtimin rus të Ukrainës ai e quajti “të qëllimshëm, gjakftohtë dhe të planifikuar gjatë”. Ky pushtim tregoi se paqja “nuk mund të merret si e mirëqenë”, tha ai dhe shprehu bindjen se “liria gjithmonë do të fitojë mbi shtypjen”.

Do të kemi një Evropë tjetër

Stoltenberg tha gjithashtu se NATO kishte aktivizuar planet e saj të mbrojtjes duke u dhënë komandantëve ushtarakë më shumë kompetenca për të lëvizur dhe vendosur forca, kur të jetë e nevojshme. “Do të jetë një realitet i ri, pas pushtimit që pamë sot”, tha Stoltenberg. Ai ripohoi gjithashtu parimin e NATO-s se një sulm ndaj një aleati do të shkaktojë një përgjigje nga aleanca.

Presidenti francez Emmanuel Macron, i cili është aktualisht edhe kryetar i radhës së BE-së, tha se ky sulm do të ketë pasoja afatgjate për Evropën. Presidenti rus Vladimir Putin vendosi të rrezikojë paqen në Evropë. “Ne do të kërkojmë nga Rusia që të japë llogari për këtë para OKB-së, tha Macron. Ai paralajmëroi sanksione të ashpra që prekin sektorin e energjisë të Rusisë.

“Rusia do të paguajë me çmim të hidhur”

Kancelari gjerman Olaf Scholz doli paradite para medias dhe tha se liderët rusë do të paguanin një ‘çmim të hidhur’ për fillimin e luftës. Duke shprehur solidaritetin me ukrainasit, kancelari gjerman tha se Gjermania do të koordinohet me udhëheqësit e G7 dhe BE-së për të vendosur sanksione të rënda ndaj Rusisë.

Scholz tha se sulmi ndaj Ukrainës ishte krejtësisht i pajustifikuar dhe e quajti atë “lufta e Putinit”. “Do të bëhet e qartë se Putini ka bërë një gabim të tmerrshëm duke nisur këtë luftë”, tha Scholz, duke shtuar se Rusia do të paguante një “çmim të hidhur” për pushtimin e fqinjit të saj. “I bëj thirrje Putinit që menjëherë të ndalojë sulmin”, tha Scholz, duke shtuar se udhëheqësi rus duhet të tërheqë plotësisht trupat e tij nga Ukraina.

Scholz tha gjithashtu se ai kishte urdhëruar mbledhjen e Kabinetit të Sigurisë në Gjermani dhe kishte bërë thirrje për një seancë speciale të Parlamentit Gjerman të dielën. Një video-konferencë speciale për udhëheqësit e G7 do të mblidhet gjithashtu me kërkesë të tij, tha ai. Pak para Scholzi kishte dalë para medias gjermane edhe ministrja e jashtme gjermane, Annalena Baerbock.  Ajo iu drejtua Putinit duke thënë se nuk “do të mund ta shkatërrojë dot kurrë ëndrrën e njerëzve në Ukrainë për demokraci, paqe dhe liri”,