Opinione Pasoja të luftës ukrainase

Pasoja të luftës ukrainase

Nga Gjergji Kajana

Agresioni ndaj Ukrainës ndodhi mëngjesin e sotëm paraprirë prej një fjalimi të presidentit rus Putin, që, duke shpallur qëllimin e sulmit në demilitarizimin, denazifikimin e çuarjes para drejtësisë të udhëheqësve të zgjedhur të Kievit për krime të pandehura në Donbas, lë të kuptohet se objektivi i menjëhershëm i luftës është rrëzimi i qeverisë ukrainase dhe nënshtrimi i plotë ushtarakisht i vendit. Në një prej skenarëve më të këqinj të mendueshëm, Ukraina po sulmohet nga gjithë kufijtë e saj tokësorë, ajrorë e detarë përveç atyre në Perëndim, ku është rreshtuar në anën tjetër NATO-ja. Një aeroport pranë kryeqytetit është në zotërimin e trupave ruse. Ukraina do të rezistojë derisa të ketë mundësi njerëzore e materiale për ta bërë këtë sakrificë.

Pasoja e parë e menjëhershme e luftës është gjakderdhja e shkatërrimi material i vendit. Vala aktuale e largimit të qytetarëve nga pjesët e sulmuara të Ukrainës do të jetë vetëm maja e ajsbergut e një krize refugjatësh që mund të përfshijë miliona të zhvendosur dhe për të cilën BE po përgatitet për mikpritje. Siç bëri Serbia gjatë Luftës së Kosovës ndaj Shqipërisë e Maqedonisë dhe Siria pasi u prek nga Pranvera Arabe, ata do të jenë arma ruse për të zhvendosur vëmendjen nga ajo që do të ndodhë brenda kufijve të Ukrainës. Arma tjetër janë furnizimet energjitike, në një kontekst që sheh Evropën Lindore, Finlandën, Gjermaninë e Italinë gjerësisht të varur nga gazi rus, ndërprerjen në furnizime të të cilit Kontinenti i Vjetër mund ta vuajë duke u detyruar të diversifikojë burimet e importimit të kësaj lëndë të parë. Eksportuese të gazit brenda e pranë kufijve të Evropës janë edhe Norvegjia, Algjeria e Libia teksa rezerva të mëdha zbuluar në Mesdheun Lindor presin eventualisht të shfrytëzohen. Potencialisht lufta në Ukrainë mund të përbëjë ndalesë për ecjen e Perëndimit drejt energjive të rinovueshme.

Nëse Ukraina pushtohet e gjitha, brenda saj parashikohet të nisë një guerrilje e gjatë kundër trupave ruse, të cilat do të jenë të vendosura në kufijtë tokësorë të NATO-s, duke rritur rrezikun për incidente me pasoja të pallogaritshme, të mundshme edhe në Balltik ose Detin e Zi. Sipas pohimeve të presidentit bjellorus, Minsku dhe Moska po diskutojnë vendosje raketash luftarake në Bjellorusi, që do të afronin në kufijtë e përplasjes garën e armatimeve mes bllokut sllav e Aleancës. Nga Estonia në Balltik deri në Detin e Zi (ku kanë dalje aleatët e NATO-s Rumani, Bullgari e Turqi) gjithë kufiri i Evropës Lindore me botën ish-sovjetike do të militarizohet në mënyrë masive. Ky skenar është duke ndodhur dhe fakti se kanalet normale të komunikimit me Moskën janë në këtë çast labirint për vendet e NATO-s rikthen frikëra të brezave të mëparshëm për shpërthimin e një holokausti të papritur. Sulmi i 2014-s zhvendosi shumë vëmendje të Aleancës Atlantike në Balltik (ku u dërguan trupa shtesë) por agresioni i sotëm imponon kujdes shumë të shtuar në Detin e Zi, rëndësia e të cilit për sigurinë evropiane merr përmasa po aq vendimtare. Një nga arsyet më të rëndësishme të kapjes së Krimesë nga Rusia në 2014-n është mbajtja aty e një flote të fuqishme që i jep një projeksion në Mesdhe, ku ka siguruar bazat në Siri e është protagoniste në luftën civile libike.

Sanksionet ekonomiko-financiare të Perëndimit synojnë ta kthejnë shumë pas Rusinë, me shpresën e pashprehur se mund të ketë kryengritje brenda vendit ndaj regjimit që nisi një luftë për ta rikthyer këtë fuqi ushtarakisht pranë kufijve të perandorisë që humbi pasi ra Muri i Berlinit. Kanalet tregtare që po humbet në Perëndim Moska do të mundohet t’i gjejë në Azi përmes shtimit të ndërshkëmbimeve me Kinën, fuqi globale që po heziton ta dënojë sulmin mbi Kievin dhe lajmëron, pas gazit, rritjen e importeve të grurit nga Rusia. Kremlini zotëron 600 miliardë dollarë rezerva valutore në vlerësim të çdo eventualiteti si ky aktual. Sanksionet janë e vetmja armë e Perëndimit nëse nuk do të rrezikojë luftën bërthamore. Ato mund të shkaktojnë rritje të inflacionit e çmimit të lëndëve të para por janë një kosto e detyruar nëse rendi ndërkombëtar bazuar mbi Kartën e OKB-së nuk do t’ia lërë pa qëndresë vendin atij të rikthimit të sferave të ndikimit që nuk marrin parasysh vullnetin civil të qytetarëve.

Është diskutuar diplomatikisht e akademikisht nëse zgjerimi i NATO-s pas rënies së Murit të Berlinit nuk ka marrë parasysh sigurinë e Rusisë. Faktikisht ai është ngjizur në periudhën e presidencave Klinton e Jelcin në SHBA e Rusi në vitet ’90, pa menduar se Moska mund të mendonte të rikthehej – siç ndodhi me Putinin lider të saj – në një fuqi me arritje globale dhe pa hasur asnjë kundërshtim nga elitat e shoqëria e Evropës Lindore, e cila sapo kishte dalë nga totalitarizmi i imponuar pas 1945-s nga sovjetikët. Sot është ai zgjerim që i jep mundësi qytetarëve të të paktën tre republikave balltike ish-sovjetike, Polonisë, Hungarisë, Sllovakisë e Rumanisë të kenë më pak frikë nga rivendosja në vendet e tyre e një regjimi të diktuar nga Moska ndërsa nuk është e pamendueshme që edhe Suedia e Finlanda t’i bashkangjiten në një të ardhme jo të largët Aleancës.

Me rikthimin e një përballjeje ushtarake masive në Kontinentin e Vjetër për herë të parë pas 1945-s Lufta e Ftohtë 2.0 mes Perëndimit e Rusisë është shpallur. Nga rezultati i saj mund të varet e ardhmja e një rendi ndërkombëtar për dekada në vazhdim.