Përballë zërave që shtohen nga dita në ditë për kalimin e mundshëm te Reali i Madridit, sulmuesi Mauro Icardi zgjodhi fillimisht heshtjen, e më pas enigmat në rrjete sociale, për të trembur tifozët e Interit.
Por mediet italiane kanë zbuluar se përtej joshjes që po i bën skuadra “merengues”, bomberi ka në të vërtetë probleme që mund ta çojnë drejt zgjidhjes së kontratës në muajin qershor.
Mauro Icardi është kapiten i Interit dhe futbollisti me vlerën më të madhe në treg, autor i 18 golave dhe një nga lojtarët më efikasë.
Por, sulmuesi argjentinas është duke kaluar një moment të vështirë, jo vetëm për dëmtimin që me gjasë do ta detyrojë të mungojë ndaj Crotones, por gjithashtu për çështje që nuk kanë të bëjnë aspak me fushën e lojës.
Mauro Icardi ka probleme me kroatët brenda ekipit dhe në veçanti me mesfushorin Ivan Perisiç.
Në Ferrara, në ndeshjen ndaj Spalit, sulmuesi argjentinas u pa jo pak herë të përplasej me Perisiç dhe Brozoviç, e madje në fund, sipas “Corriere della Sera”-s, ka pasur një përballje mes të treve. Në bazë të diskutimit ishte impenjimi i paktë i ballkanasve dhe revolta e kapitenit.
Por, problemeve të sulmuesit i shtohen edhe ato fiskale. Organet tatimore italiane po hetojnë mbi kontratat e futbollistit për të drejta e imazhit.
Disa fatura janë xhiruar nga gruaja e Mauro Icardit për të paguar më pak taksa, në një shifër evazioni që vërtitet te 3 milionë eurot.
E gjithë kjo xhiro akuzash bëhet në kohën kur Reali i Madridit ka ofruar 110 milionë eurot e klauzolës që shkëput Icardin nga Interi.