Ministrja e Jashtme, Olta Xhaçka, në një konferencë të përbashkët me homologun grek Dendias, deklaroi se u diskutua integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
“Një çështje e rëndësishme që u diskutua është dhe integrimi europian i Shqipërisë. Përshëndes mbështetjen e vazhdueshme të Greqisë për mbajtjen e Konferencës së Parë Ndërqeveritare. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë plotësuar kushtet. Shpresat mbeten akoma për një vendim gjatë presidencës franceze”, tha Xhaçka.
“Vlerësojmë Greqinë si një partneritet të fuqishëm. E falënderova ministrin për mbështetjen e kandidaturës së Shqipërisë si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit. Temë diskutimi ishte dhe situata në Ukrainë. Një tjetër çështje e diskutuar ishte dhe kufiri detar. Rikonfirmuam vullnetin për një kompromis për të referuar çështjen në një palë të tretë gjyqësore”, shtoi Xhaçka.
Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Nikos Dendias deklaroi se vendi i tij mbështet procesin e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian.
Dendias shprehu mbështetjen edhe për Maqedoninë e Veriut, teksa shtoi se perspektiva e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Europian.
“Do doja të referoja edhe për perkspektivën europiane të Shqipërisë. Greqia mbështet tërësisht nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. është absolutisht e predizpozuar të ofrojë ndihmë teknike. Ne mendojmë se perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor është një rrugë me një kalim”, u shpreh ai.
Ndërkohë, Dendias zbuloi se ka diskutuar me qeverinë shqiptare për çështjen e detit dhe ligjin e luftës: “Duam të zgjidhim diferencat tona sa i përket kufirit detar. Marrëdhëniet tona janë zhvilluar shumë mirë. Ligji i luftës është diçka që duhet të shkëputemi dhe do të bashkëpunojmë. Dua të jem i sinqertë, ne duhet të diskutojmë për çështje praktike që kanë të bëjnë me palën greke dhe ato do i diskutojmë. Do të diskutojmë çështjen e minoritetit grek dhe komunitetit shqiptar në Greqi”.