Opinione Të gjithë kundër korrupsionit, po kush dreqin e bën korrupsionin?

Të gjithë kundër korrupsionit, po kush dreqin e bën korrupsionin?

Nga Mentor Kikia

Të paktën 2100 njerëz (kaq është kapaciteti i sallës) ndodhen në Pallatin e Kongreseve, në një Konferencë Kombëtare Kundër Korrupsionit. Ministra, deputetë, zv/ ministra, drejtorë, kryetarë bashkie, nëpunës të lartë….janë bërë bashkë për të demonstruar vullnetin e tyre kundër korrupsionit.

Po biem dakord se të gjithë ata njerëz janë vërtet të përkushtuar për ta luftuar korrupsionin. Por mbetet pa përgjigje pyetja: Kur të gjithë këta që kanë pushtetin janë kundër korrupsionit, kush e bën korrupsionin?

“Ka qenë deri para pak vitesh, koha kur të gjitha shërbimet për qytetarët jepeshin me kontakt të drejtpërdrejtë dhe kur shërbimet e përmuajshme, si pagesa e dritave, qytetarët duhet të qëndronin në radhë të gjata, në shi apo diel, që t’ju jepej mundësia të paguanin” – tha Rama. Kryeministri këtu ka të drejtë.

Qytetarët plaseshin nëpër sportele për të marrë një certifikatë, një dëshmi penaliteti, nja dhjetë lloje vërtetimesh nëpër zyra taksash, aplikime për pasaporta e karta identiteti… për çdo copë letë do të duheshe të shpenzojë kohë, nerva, energji, dhe padyshim duhej të paguaje edhe ndonjë gjë nën dorë. Tashmë kjo vërtet është kapërcuer. Futja e shërbimeve elektronike e kanë bërë më të lehtë jetën shqiptarëve.

Padyshim që kjo burokraci gjeneronte një formë korrupsioni, ajo për të cilin qytetarët flisnin dhe ankoheshin çdo ditë. Pikërisht për këtë betejë foli kryeministri në këtë konferencë, të cilën ai tha se e bën çdo ditë.

Dhe ky është “korrupsioni i vogël”, me të cilin përballen njerëzit në përditshmërinë e tyre. Ai që i bënte, apo i bën, të fusin dorën në xhep e të paguajnë një rryshfet për të marrë një shërbim që u takon.

Por a është ky korrupsioni që ka gërryer shtetin, ka gërryer ekonominë, ka shkatërruar konkurrencën, që zhduk në vrimën e zezë taksat e qytetarëve?

Padyshim që jo.

“Korrupsionin e madh” njerëzit e thjeshtë nuk e shikojnë, nuk e ndjejnë drejtpërdrejtë, pasi nuk fusin dorën në xhep për t’ia paguar koston.

Ata nuk i paguajnë nga xhepi koncesionet skandaloze të shëndetësisë, që nga check up-i, deri tek sterilizimi i gërshërëve të operacionit me çmime skandaloze.

Ata nuk i paguajnë nga xhepi koncesionet e inceneratorëve që dogjën miliona euro, por asnjë kg mbetje.

Ata nuk i paguajnë nga xhepi koncesionet miliardere të rrugëve. As portet e aeroportet. Ata nuk paguajnë asgjë kur qeveria u dhuron “investitorëve strategjikë”, dhjetëra hektarë tokë në bregdet, për të ndërtuara hotele e vila pa taksa, për shtresën e të pasurve.

Ky është “korrupsioni i madh”. Ky nuk luftohet me dixhitalizimin e shërbimeve. Këtë nuk e luftojnë ata që janë në atë sallë, sepse ata janë ata që e bëjnë këtë.

Qytetarët këtë lloj korrupsioni nuk e prekin, por thjeshtë e vuajnë!

E vijnë kur sëmuren dhe u drejtohen klinikave e laboratorëve privatë.

E vuajnë në çmimet skandaloze të karburantit që paguajnë, për shkak të taksave të larta që e shoqërojnë atë.

E vuajnë fermerët që marrin subvencionin më të ulët në krahasim me fermerët e vendeve të rajonit.

E vuajnë banorët në fshatra që s’kanë rrugë, ujësjellësa, rrjet kanalizimesh, sistem të grumbullimit të mbetjeve…

E vuan mjedisi, që ndotet e degradohet, sepse nuk ka menaxhim mbetjesh urbane.

E vuajnë pyetjet që digjen çdo vit sepse shteti nuk blen dot një helikopter apo avion që të hedhë ujë, sepse nuk ka para.

Përfundimi?

Tenderat – tha kryeministri – do ti bëjë një agjenci e huaj. Nuk do ti bëjnë më ministritë apo agjensitë qeveritare, sepse ato janë të korruptuara.

Sa mirë!

Po sikur ta dorëzojmë të gjithë qeverisjen, e japim me koncension?