Ka shkuar në 4 mijë, numri i personave të cilët kanë firmosur peticionin, për ndryshimin e plazhit të Potamit në “Sirena Jonada”, në më pak se 24 orë nga publikimi i tij.
Kështu bëri të ditur për “Euronews Albania”, poetja Alma Papamihali e cila ishte nismëtarja e peticionit, pasi shkroi një poezi për 7-vjeçaren.
“Kjo nismë erdhi fare rastësisht. Si fillim unë shkruajta një poezi e cila u bë virale dhe përfshiu një masë mjaft të gjerë lexuesish. Poezia ishte për një simbolikë si sirena Jonada dhe erdhi si një natyrshmëri edhe diçka e tillë. Deri më tani janë 4 mijë firmëtarë që kanë firmosur për këtë peticion. Kryesisht peticioni është online, janë vetë njerëzit që kanë marrë iniciativën”, theksoi ajo.
Tre ditë më parë, në plazhit e Potamit në Himarë ndodhi një ngjarje e rëndë, ku e mitura u përplas për vdekje nga një skaf që drejtohej nga Arjan Tase.
Tase, ishte efektiv policie dhe u përjashtua nga radhët e policisë pas ngjares, teksa këtë të premte Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për të.
Ndërsa, ditën e djeshme, u zhvillua një protestë ku kërkohej dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ministrit të Brendshëm, Bledi Çuçi dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Gledis Nano./Euronews Albania