55-vjeçari Luan Hushi nuk mundi t’i mbijetojë dot plagëve të marra pas të shtënave me armë zjarri. Ai u dërgua në spitalin ushtarak për ndihmë mjekësore, por fatkeqësisht ndërroi jetë.
“Në vijim të informacionit paraprak për një konflikt për motive të dobëta, gjatë të cilit shtetasi L. H. rreth 55 vjeç, u plagos me armë zjarri nga shtetasi K. Q., ju bëjmë me dije se si pasojë e dëmtimeve të marra, shtetasi L. H. ka ndërruar jetë, në spital”, konfirmoi policia.
55-vjeçari u qëllua me kallashnikov mëngjesin e kësaj të mërkure në fshatin Zgërdhesh të Krujës. Autori i ngjarjes dyshohet se është Klodjan Keqi. Ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta mes autorit dhe viktimës.
Dyshohet se sherri ndodhi për drutë e zjarrit. Pasi qëlloi mbi Hushin, Keqi është larguar nga vendi i ngjarjes duke përfituar edhe nga zona e pyllëzuar.
Mësohet se shërbime të shumta policie kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe janë vënë në kërkim të autorit. Ndërkohë po vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.