Bota “FBI, përbindësh i kontrolluar nga demokratët”, Trump: Biden armik i SHBA, do...

“FBI, përbindësh i kontrolluar nga demokratët”, Trump: Biden armik i SHBA, do ta dëbojmë

Donald Trump e ka quajtur presidentin Joe Biden një armik të shtetit në tubimin e tij të parë që pas sekuestrimit të dokumenteve të klasifikuara kur FBI kontrolloi në rezidencën e tij në Mar-a-Lago  në Florida.

Ish-presidenti e konsideroi fjalimin e Biden në Filadelfia si më përçarësin të mbajtur ndonjëherë nga një president i SHBA.

“Fjalimi që mbajti në Filadelfia ishte plot urrejtje dhe zemërim, ishte fjalimi më përçarës i mbajtur nga një president, i cili përçmoi 70 milionë votues. Ne do t’i japim fund karrierave politike të Nancy Pelosi dhe Joe Biden”, tha ai.

Duke folur me mijëra mbështetës në Wilkes-Barre, në Pensilvani, ish-presidenti akuzoi zotin Biden se kishte nxitur FBI-në kundër tij.

“Bastisja ishte një nga abuzimet më tronditëse të pushtetit nga çdo administratë në historinë amerikane”, tha Trump.

“FBI është bërë një përbindësh i egër i kontrolluar nga e majta demokratike dhe nga media, por nuk do të hesht”, tha Trump.

Ish-presidenti sulmoi Byronë dhe Departamentin e Drejtësisë për kontrollin e vilës së tij në Mar-a-Lago që çoi në sekuestrimin e dokumenteve të klasifikuara.

“Është e njëjta FBI që nuk e ndoqi penalisht Hillary Clinton-in për Emailgate”, tha ai, duke iu referuar serverit privat të përdorur nga sekretarja e atëhershme e shtetit dhe mijëra e-maileve që ajo fshiu.

“Ata postuan foto duke lënë të kuptohet se ato dokumente i kisha shpërndarë në dysheme. Ata janë vërtet njerëz të pandershëm”, vazhdoi ai.

Më tej Trump shtoi se: “Ata donin të dërgonin në burg djalin tim Donald Jr., duke e akuzuar atë për gjërat që ata shpikën, duke shpikur një histori krejtësisht të sajuar, një mashtrim, në të cilën thanë Rusia, Rusia, Rusia “. Donald Trump denoncoi “politizimin” e hetimit për Russiagate, sipas mendimit të tij të nxitur nga demokratët.

Ai ndodhej në shtetin e Pensilvanisë për të promovuar dy kandidatë republikanë. Dr Mehmet Oz po kandidon për Senatin e SHBA dhe senatori i shtetit Doug Mastriano është në garë për t’u bërë guvernatori i ardhshëm i Pensilvanisë.