Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka debatuar me deputetë të opozitës në Kuvend, të cilët i kërkuan të japë dorëheqjen, pasi sipas tyre ka dështuar në lidhje me Kosovën.
Gjatë fjalës së tij, Vuçiç u shpreh dorëheqjen do ta japë kur ta shikonte ai të arsyeshme, megjithatë u shpreh se e dinte fare mirë se ky do të ishte mandati i tij i fundit si kryetar shteti, raporton Euronews Serbia.
“Unë do të largohem kur të shoh që nuk kam energji, edhe pse dje pashë që kam më shumë se të gjithë ju, e di që është mandati im i fundit dhe kam frikë se edhe pas kësaj nuk do të mundeni për të fituar, pasi populli do të zgjedhë dikë të denjë dhe racional, i cili do ta çojë Serbinë përpara, e jo ta kthejë atë në një periudhë të errët si e juaja.
Qeveria juaj ishte periudha më e errët e të gjitha qeverive serbe që nga viti 1918. Prishtina nuk e ka shpallur pavarësinë ilegale në kohën e Aleksandër Vuçiçit, por në kohën tuaj”, u shpreh presidenti serb.
Pikë e vetme e rendit të ditës në këtë seancë, e cila ka filluar që nga dita e djeshme, është raporti i qeverisë serbe për negociatat e mbajtura me Kosovën përgjatë një viti, përkatësisht nga 15 qershori i vitit 2021 deri më 1 shtator të vitit 2022.